Fondi Pensional: Për herë të parë arrihet vlera e 3 miliardë eurove nën menaxhim

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka bërë të ditur se ka arritur për herë të parë vlerën e 3 miliardë eurove të mjeteve neto nën menaxhim në fundin e gushtit 2024.

Sipas një komunikate për media, gjatë periudhës janar-gusht 2024 mjetet nën menaxhim u ngritën për më shumë se 300 milionë euro krahasuar me fundvitin 2023.

“Ngritja e këtij tetëmujori erdhi nga kontributet e reja (rreth €200 milionë) dhe kthimi nga investimet (rreth €165 milionë). Por njëkohësisht rreth €60 milionë u zbritën nga fondi për pagesat mujore të pensioneve dhe shpenzimet e tjera”- thuhet në njoftim.

FKPK-ja thotë se prej fillimit të operimit të saj në vitin 2002, njëmiliardëshi i parë i mjeteve neto nën menaxhim është arritur më 2014 ndërsa dymiliardëshi më 2021.

“Vlerësuar në tërësi, mjetet që FKPK-ja i ka aktualisht nën menaxhim përbëhen prej pagesave të kursimeve pensionale nga kontribuuesit (rreth 78% ose €2.34 miliardë) dhe kthimi nga investimet (rreth 22% ose €660 milionë)”- thuhet tutje në komunikatë.

Përveç mjeteve aktuale nën menaxhim, prej themelimit e deri më tani, nga Fondi thonë se janë tërhequr edhe rreth 675 milionë euro nga përfituesit e FKPK-së (përfshirë këtu edhe rreth 200 milionë euro nga tërheqja e parakohshme për 10%-shin).