Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kërkon ndalimin e fishekzjarreve për festat e fundvitit

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka kërkuar të ndalohet përdorimi i fishekzjarreve gjatë festave të fundvitit.

Këtë kërkesë Fondacioni ua ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmanit, kryeministrit Avdullah Hoti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Tahirit, ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, ministrit të Shëndetësisë Armend Zemajt dhe përfaqësuesit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Sazan Ibrahimit.

Sipas Fondacionit, fishekzjarret duhet të ndalohen për shkak të ndikimit negativ në ambient, në shëndetin e njeriut dhe të kafshëve.

“Duke i marrë parasysh implikimet negative të përdorimit të fishekzjarreve, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të ndaluar përdorimin e fishekzjarreve në hapësirat e banimit si dhe hapësirat publike gjatë festave të fundvitit, në interes të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, ambientit dhe kafshëve”, thuhet në kërkesën e Fondacionit.

Sipas kërkesës, në këtë kohë pandemie mbingarkimi i stafit mjekësor dhe spitaleve dhe qendrave mjekësore me probleme të shkaktuara nga përdorimi i fishekzjarreve mund të evitohet dhe duhet të evitohet.

Fondacioni thekson se fishekzjarret mund të ndikojnë negativisht në shëndet, duke shkaktuar probleme si kollitja, vështirësitë në frymëmarrje, sulmet e astmës e madje edhe sulmet në zemër.

“Fishekzjarret shkaktojnë ndotje të gjërë të ajrit në një kohë të shkurtër, duke lënë pas grimca metali, toksina të rrezikshme, kimikate të dëmshme dhe tym në ajër për orë dhe ditë të tëra. Disa nga toksinat kurrë nuk zbërthehen ose shpërbëhen plotësisht, por përkundrazi rrinë rrotull në mjedis, duke helmuar gjithçka me të cilën bien në kontakt” thuhet tutje në kërkesë.

Tutje, thuhet se qentë, macet dhe kafshët e tjera nuk e kuptojnë se çfarë janë fishekzjarret -gjithçka që ata dinë është se ka shpërthime të forta, të frikshme dhe instinktet e tyre aktivizohen, duke u thënë atyre se duhet të vrapojnë dhe të fshihen për siguri. Këto shpërthime mund të lënë kafshët të hutuara, të çorientuara, të humbura, në gjendje shoku të rëndë, apo edhe të ngordhura.