Foto: Atifete Jahjaga / Facebook

Fondacioni “Jahjaga” dhe Ambasada gjermane nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e muzeut për të dhunuarit gjatë luftës

Fondacioni “Jahjaga” dhe  Ambasada gjermane në Kosovë kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e muzeut që do t’u dedikohet të dhunuarve gjatë luftës.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, themeluese e Fondacionit “Jahjaga” bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se sot (15.08.2024), në zyrat e Fondacionit së bashku me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hapjen e muzeut të parë për gratë dhe burrat e dhunuar në Kosovë.

“Çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një ndër plagët më të rënda të tërë vendit, andaj qëllimi ynë kryesor është të rritet vetëdija e përgjithshme e popullit dhe të luftohet stigma e cila i rrethon të mbijetuarit”- ka shkruar ish-presidentja Jahjaga në Facebook. “Ashtu siç u kam premtuar që nuk do lë gurë pa lëvizur derisa drejtësia të gjejë vend u premtoj që çdoherë do jem pranë tyre”- ka thënë Jahjaga në Facebook.

Ish-presidentja Jahjaga ka thënë se nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë.