Ilustrim

Fondacioni gjerman prezanton javën tjetër draft - statutin e Asociacionit, ndryshohet emërtimi  

Fondacioni gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, do të prezantojë më 30 janar, draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

FES draft statusin e Asociacionit e ka quajtur me një emërtim të ri “Asociacioni i Komunave në Republikën e Kosovës ku Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”.

Fondacioni gjerman, ka njoftuar se draft statuti i Asociacionit është hartuar në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).

Sipas njoftimit të Institutit, vitin e kaluar, FES ka organizuar një seri të përbashkët të punëtorive mbi çështjet e pazgjidhura të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, thuhet se procesi i hartimit të statutit përfshinë konsultime me ekspertë, akademikë dhe profesionistë që punojnë ose përfshiheshin në dialogun e Brukselit.

“Nëpërmjet këtyre punëtorive kemi diskutuar dhe trajtuar çështjet dhe sfidat më urgjente lidhur me zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i ka paraprirë hartimit të Statutit. Puna është produkt i partneritetit midis dy organizatave tona dhe nuk përfshin asnjë palë të tretë”- thuhet në njoftimin për prezantimin e këtij draft statuti.

FES ka thënë se puna e tyre ka për qëllim ofrimin e rekomandimeve të formuara përmes ekspertizës së duhur vendore dhe ndërkombëtare.

“Prandaj, në një mjedis shumë të instrumentalizuar politikisht, publikimi duhet parë më tepër si një pikënisje për një kontribut të bazuar në prova. Puna jonë u drejtua vetëm nga motivimi për të kontribuar në fillimin e një diskutimi publik thelbësor dhe ofrimin e rekomandimeve tona të formuara përmes ekspertizës së duhur vendore dhe ndërkombëtare – siç kemi bërë në të kaluarën për çështje të ndryshme politike dhe socio-ekonomike”- thuhet në njoftimin e tyre.

Prezantimi publik i këtij draft statuti pritet të bëhet më 30 janar në ora 13:30 në Prishtinë.

Prezantimi i procesit të hartimit të këtij draft statuti do të bëhet nga Egzon Osmanaj, Menaxher i Programit të FES, ndërsa prezantimin e elementeve kryesore të draftit, do ta bëjë Senad Saboviq, Këshilltar i Lartë në Institutin Evropian për Paqe (EIP).

Sipas agjendës, folëse kryesore e këtij takimi është Ekspertja Ligjore, Gjyljeta Mushkolaj.

Po ashtu, për 30 minuta do të ketë diskutim të hapur dhe përgjigje për pyetjet e parashtruara.

Ftesa e FES për takimin ku pritet të prezantohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Friedrich-Ebert-Stiftung është një fondacion politik gjerman, që promovon një shoqëri të lirë, të bazuar në vlerat e demokracisë. Organizata ka zyrat e saj përfaqësuese në më shumë se 100 vende dhe mbështet politikën e bashkëpunimit paqësor.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord në dialogun që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, por çështja, prej vitesh, vazhdon të jetë pengesë në normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Kosova e refuzon formimin e Asociacionit me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka thënë se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mirëpo sipas Kurtit, kjo marrëveshje “nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses”.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që asociacioni i komunave me shumicë serbë ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013 e më pas i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtin 2015 të theksohet më shumë por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është vetmja nga 33 që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, pra në një mënyrë mund të themi që ajo marrëveshje e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues sepse nuk e ka kaluar testin”- deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, Serbia, e kushtëzon normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Kosovën me formimin e Asociacionit.

Ditë më parë, për Asociacionin, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të jetë një OJQ dhe se do ta ketë mbështetjen financiare të Qeverisë së Serbisë.

Vuçiq ka thënë se ka parë përkushtimin dhe seriozitetin e amerikanëve në jetësimin e Asociacionit, prandaj pret që statuti i tij të marrë formën deri në fund të muajit.

“Kompromisi i Kosovës për pranimin dhe formimin e Asociacionit kanë marrë liberalizimin e vizave, njohjen e dokumenteve të tyre dhe do të kenë anëtarësim në organizatë ndërkombëtare” – ka theksuar ai.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.