Fondacioni 'Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ ndihmon me material mbrojtës QKUK-në

Një donacion në vlerë prej 10 mijë eurosh është dhuruar nga fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ për Klinikën e Gjinekologjisë dhe të Neonatologjisë.

“Ky donacioni i juaj i sotëm i ofron siguri në punë personelit shëndetësor, i bën më të sigurt në punën e tyre, por edhe rrit besimin, nga ana tjetër, edhe te pacientët, pasi që pacientët, kur e shohin që personeli mjekësor është i mbrojtur me pajisje mbrojtëse, atëherë kanë një siguri më të madhe se do të marrin shërbime më kualitative”, tha Valbon Krasniqi, u.d. i ShSKUK-së.

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, Vlorian Molliqaj, tha se do të bëjnë përpjekje në forma të ndryshme që të mbledhin fonde në mënyrë që të sjellin donacione të tjera.

“Ne ju falënderojmë për punën përgjatë kësaj periudhe, e cila ka qenë shumë e vështirë. Shpresoj që do të ketë mjete të mjaftueshme dhe do ta kalojmë sa më lehtë këtë sfidë”, deklaroi Molliqaj.

Drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismaili ka falënderuar donatorët për ndihmën e ofruar.

Në anën tjetër drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gjinovci, tha se mbështetja e vazhdueshme nga AMC ka luajtur rol të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë.