FOL: Qeveria e Kosovës realizoi vetëm 33% të aktiviteteve të parapara për preiudhën janar – qershor 2024

Gjatë periudhës janar – qershor të vitit 2024 nga Qeveria e Kosovës, janë paraparë të realizohen 147 aktivitete në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor (PKZH), prej të cilave sipas organizatës “Fol” janë realizuar vetëm 49 aktivitete.

Kështu u bë e ditur në një konferencë për media të organizuar nga Lëvizja Fol ku u prezantuan gjetjet nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria e Kosovës në kuadër të PKZH, realizimi i të cilave është paraparë të përfundojë në periudhën janar-qershor 2024.

Drejtoresha e Lëvizja FOL, Mexhide Demolli- Nimani tha se për 27% të aktiviteteve nuk kanë marrë përgjigje. Ajo tha se përgjigje nuk kanë marrë për aktivitetet e tri ministrive, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizoj brenda periudhës janar – qershor 2024, ka arritur të realizoj vetëm 49 aktivitete ose 33% nga to, ndërkaq 59 aktivitete ose 40% kanë mbetur të parealizuara ndërsa për 39 aktivitete apo 27% të tyre nuk kemi marrë përgjigje”- tha Demolli- Nimani.

Demolli bëri të ditur se kanë bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për ministritë që nuk kanë dhënë përgjigje për aktivitetet e realizuara gjatë kësaj periudhe.

Në gjetjet e Lëvizjes FOL, katër ministri nuk kanë paraparë aktivitete në kuadër të PKZH-së për periudhën janar – qershor 2024. Ministritë që nuk kanë paraparë aktivitete janë Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë Ministria e Komuniteteve dhe Kthim dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lëvizja FOL ka publikuar edhe krahasimin për vitet 2022, 2023 dhe 2024 për realizimin e aktiviteteve në kuadër të PKZH që janë paraparë për periudhën janar – qershor.

“Në 6 mujorin e parë të vitit 2022 ishin planifikuar 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147 aktivitete, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Për periudhën e njëjtë të vitit 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani për periudhën 3 vjeçare që ne kemi monitoruar”- tha drejtoresha e Lëvizjes FOL.