FOL publikon hulumtim lidhur me regjistrimin e pronave të politikanëve

Lëvizja FOL ka mbajtur një diskutim të hapur lidhur me hulumtimin e tyre sa i përket analizimit të të dhënave rreth posedimit të pasurisë të grave zyrtare publike dhe të grave të zyrtarëve publik.

Duke u bazuar në të gjeturat e këtij hulumtimi dhe me qëllim të arritjes së barazisë gjinore, Lëvizja FOL ka rekomanduar që të zhvillohen fushata vetëdijësuese për rëndësinë e ndarjes së pasurisë me bashkëshortët si dhe ndarjen e trashëgimisë edhe për vajzat, zbatimin sistematik të kuotave që do të mund të arrihej me krijimin e mekanizmave efektiv për zbatimin e tyre ashtu siç parashihet me ligj, si dhe ëshë kërkuar që të vazhdohet të mbetet në fuqi masa e parakohshme ligjore për regjistrimin e pronës në emër të të dy bashkëshortëve.

Përmes këtij diskutimi të hapur, Lëvizja FOL u ka kërkuar zyrtarëve publik që ta ndajnë pasurinë edhe me gratë e tyre, kurse nga gratë zyrtare publike, ka kërkuar që të njëjtat të kërkojnë që pasuria të regjistrohet edhe në emër të tyre.

Paneliste në këtë diskutim ishin Edi Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në zyrën e Kryeministrit, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, si dhe Daniel Braun, drejtor i Konrad-Adenauer-Stiftung për Kosovë dhe Maqedoni.

Në këtë diskutim u tha se shpërndarja e pabarabartë gjinore e burimeve financiare i pozicionon gratë në disavantazh krahasuar me burrat, në aftësimin e tyre për të marrë pjesë, për të kontribuar dhe për të përfituar nga proceset e zhvillimit të tyre të mëtutjeshëm.

Të dhënat e paraqitura në hulumtim janë marrë nga formularët për deklarimin e pasurisë për vitin 2020 të deklaruara tek Agjencia Kundër Korrupsionit.

Në këtë diskutim u tha se ndonëse politikanët tanë janë ata që thirren në barazi gjinore dhe në fuqizimin e gruas përgjatë gjithë mandatit të tyre, janë po të njëjtit që nuk posedojnë pasuri në emër të bashkëshorteve të tyre.

Nga të gjeturat e këtij hulumtimi ka rezultuar se në qeverinë Hoti vetëm 36% e ministrave dhe vetëm 18.5% e zëvendës ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes.

Prej tri ministreve gra të kësaj qeveria, dy nga to kanë pasuri në emër të tyre, ndërsa njëra jo.

Kurse nga të dhënat e analizuara nga qeveria Kurti, sipas këtij hulumtimi ka rezultuar se 85% e grave të ish ministrave dhe 50% e grave të ish zëvendës ministrave kanë pasur pasuri në emër të tyre.

Të dhënat e këtij hulumtimi janë krahasuar edhe në kohën e qeverisë Haradinaj, me çka ka rezultuar se në këtë qeveri, vetëm 25% e grave të ish ministrave dhe 50% e grave të ish zëvendësministrave kanë pasur pasuri të regjistruar në emër të tyre.

Sa i përket gjendjes nëpër komuna, hulumtimi tregoi se vetëm 55% e kryetarëve të komunave kanë deklaruar se gratë e tyre posedojnë pasuri në emër të tyre.