FMN: Rritja e tarifave të rrymës në muajin shkurt, lëvizje e duhur

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin lëvizje të duhura të politikave.

Anulimi i këtyre tarifave, sipas këtij institucioni të rëndësishëm financiar, do të përbënte barrë serioze për buxhetin.

“Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin”, thuhet në një deklaratë të FMN-së.

“Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike”, citohet të ketë thënë Gabriel Di Bella, përfaqësues i FMN-së.

Më 9 shkurt të këtij viti Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike vendosi për rritje të tarifave të rrymës.

ZRRE pati vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat e vjetra.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.