Fondi Monetar Ndërkombëtar. Foto: Facebooku i FMN-së
FMN-ja paralajmëron për rreziqet e një lufte tregtare botërore
Ekonomia botërore do të mund të tkurrej sa vlera e ekonomive gjermane dhe franceze nëse do të kishte një luftë tregtare ndërmjet ekonomive më të mëdha të botës, ka deklaruar Fondi Monetar Ndërkombëtar për transmetuesin britanik BBC.
Ky është një shqetësim i ngritur në kohën kur janë ngritur tensionet në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane, derisa shumëkush u druan pasojave të rizgjedhjes eventuale të Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi është zotuar se do të zbatonte një tarifë universale prej 20 për qind për të gjitha importet që hynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa Bashkimi Europian tashmë po planifikon të hakmerret nëse Uashingtoni zyrtar e çon përpara këtë levë të re.
Javën e kaluar, Trumpi ka thënë se “tarifa është fjala më e bukur në fjalor”, dhe tregjet globale dhe ministrat e financave tani kanë nisur ta marrin seriozisht prospektin e zbatimit të ideve të tij.
Zëvendësdrejtoresha e FMN-së, Gita Gopinath, ka thënë se institucioni i saj nuk mund të vlerësojë specifikat e planeve tregtare të Trumpit, por mendon se nëse do të shkohej përpara me politika që ngrehin tarifat tregtare, atëherë do të mund të kishte një tkurrje ekonomike botërore deri në shtatë për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
“Këto janë shifra shumë të larta, 7 për qind është humbje në fakt sa vlera e ekonomive të Francës dhe Gjermanisë. Kjo do të mund të ishte shkalla e humbjes”, ka thënë ajo për BBC-në.
Gopinath ka thënë gjithashtu se tarifat në vlerë prej miliardë dollarësh do ta ndryshonin goxha shumë “botën në të cilën kemi jetuar gjatë dy prej tri dekadave të kaluara”.
Ajo ka thënë se FMN-ja po përgatitet për të neutralizuar dridhjet dhe krizat e mundshme ekonomike. Gopinath ka thënë se ekonomia botërore e ka marrë goxha shumë veten pas krizave të shumëfishta.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com