FMN aprovon 52 milionë euro financim për Kosovën

Ministri Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka njoftuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka aprovuar financimin për Kosovën në vlerë 52 milionë euro.

“Sot, më 10 Prill 2020, Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) aprovoi financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milion EUR. Aprovimi i këtij financimi është bërë i mundur pas një serie të diskutimeve midis ekipit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe atij të FMN-së, mbi vlerësimin e ndikimit ekonomik dhe fiskal të masave që ndërlidhen me virusin COVID 19”, ka shkruar Bislimi në facebook.

Bislimi ka thënë që kjo ndihmë vie në kohë kritike për Kosovën, duke shtuar se në ditët në vijim janë duke pritur edhe aprovime të tjera nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare.

“Ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv. Në ditët dhe javët në vijim, presim edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare, si pjesë e mobilizimit tonë për gjetjen e burime shtesë të financimit, pas boshllëkut të buxhetor , të krijuar nga ngjarjet e fundit”, ka thënë ai.

Aktualisht Kosova është duke u përballur me pandeminë e coronavirusit, dhe qeveria e Kosovës ka paraparë një pako emergjente fiskale për ti dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës.

Kjo pako është paraparë të kushtoj 170 milionë euro.