FMN: Amnistia fiskale e Ramës mund të përdoret për pastrim parash

Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi haptazi planet e kryeministrit Edi Rama për amnisti fiskale, atë për heqjen e taksave për kompanitë e vogla si dhe planet për koncesione të reja duke këshilluar në vend të këtyre përqendrimin në përpjekjet për uljen e borxheve publike gjatë viteve të ardhshme përmes masave “në krahun e të ardhurave” një togfjalësh që nënkupton nevojën për rritjen e taksave.

FMN thotë se megjithëse pritet që Shqipëria të rimëkëmbet në vitin 2021 pasiguria është shumë e lartë.

“Sapo pasojat e tronditjeve [tërmeti dhe COVID] të largohen, do të jetë me rëndësi kritike të rifillohet konsolidimi fiskal nga ana e të ardhurave dhe të vendoset borxhi publik në një tendencë të qëndrueshme në rënie në mënyrë që të rindërtohen hapësirat për manovra në politikën fiskale,” shkruhet në njoftimin për shtyp të publikuar në fund të konsultimit në distancë.

Ndërsa shpreh kënaqësi që stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është ruajtur gjatë të gjithë kohës së pandemisë, FMN përsërit kërkesën që të “menaxhohet rreziku” që rrjedh nga kontratat e koncesioneve si dhe të “fuqizohet cilësia e menaxhimit të investimeve publike”.

Shqipëria aktualisht llogarit si borxh publik vetëm detyrimet e lidhura në bazë të ligjit për borxhin publik por Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon që si të tilla të llogariten edhe kostot e kontratave të shumta koncesionare që i marrin të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe që janë nënshkruar nga qeveria paraardhëse dhe ajo aktuale.

Borxhi publik zyrtar është aktualisht 1.16 trilionë lekë ose 8.9 miliardë euro. Por kontratat koncesionare të nënshkruara nga qeveritë e ndryshme kapin vlerën e miliarda eurove shtesë të cilat duhet të paguhen nga taksapaguesit shqiptar përgjatë viteve dhe dekadave të ardhshme dhe që për shkak të përmasave që kanë, mund të ndryshojnë themelet e rendit demokratik në vend.

“Duhet të shtohen përpjekjet për të menaxhuar rreziqet fiskale në rritje, përfshirë ato nga PPP-të,” thotë FMN.

Pavarësisht se Shqipëria gjendet aktualisht në vështirësi të mëdha ekonomike të shkaktuar nga goditja e dyfishtë e tërmetit dhe COVID-19, qeveria aktuale ka shprehur dëshirën për të vijuar me planet për kontrata koncesionare miliardere, të tilla si një tunel në qafën e Llogarasë apo një autostradë nga Shëngjini për në Fier.

FMN thotë gjithashtu se deklarata e kryeministrit Rama për të hequr tatimin mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë dhe TVSH-në për bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë është “shqetësuese”.

“Mbështetja për njerëzit dhe firmat e dëmtuara nga tronditjet është e dëshiruar, por jao duhet të jetë e përkohshme, e shënjestruar dhe transparente, si dhe duhet të jetë pjesë e një kuadri fiskal afatmesëm të kujdesshëm,” thuhet në deklaratë. Pragu për tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në duhet të unifikohet në një nivel të studiuar mirë, sipas FMN-së.

Qeveria aktuale uli pragun e TVSH-së në 2 milionë lekë tre vjet më parë pavarësisht kritikave të forta të FMN-së për të mos e bërë këtë. Më herët pragu ishte 5 milionë lekë. Nga kjo politikë e përfshirjes së pothuajse çdo biznesi në regjimin e TVSH-së, qeveria kaloi në një propozim tjetër ekstrem, përjashtimin e të gjithë biznesit të vogël nga tatimi mbi fitimin dhe një pjese të madhe të tij nga TVSH. Luhatshmërinë e këtyre politikave fiskale kanë krijuar amulli të lartë për bizneset.

FMN përsëriti kritikën edhe kundër planit të kryeministrit Edi Rama për të pasur një amnisti fiskale, duke argumentuar se një masë e tillë mund të përdoret për pastrim parash dhe korrupsion.

“Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie fiskale për shkak se ajo mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave. Para se të ndërmerret një hap i tillë duhet të ketë sisteme efikase për të dalluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.” (reporter.al)