Nexhmije Pagarusha

"Fluturojmë me shpirtin tënd", Tirana e Prishtina bëhen bashkë për një koncert dedikuar Nexhmije Pagarushës

Më 12 maj, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve nga Tirana, do të mbajnë në Prishtinë një koncert të përbashkët dedikuar Nexhmije Pagarushës.

Koncerti “Fluturojmë me shpirtin tënd!” do të mbahet me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ky koncert është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2020. Ajo konsiderohet ikonë e muzikës shqiptare.

Këngëtarja Pagarusha i dha muzikës shqiptare perlat më të çmueshme të saj, me një repertor të gjerë dhe të larmishëm, duke marrë edhe vlerësimin “Bilbili i Kosovës”.

Për kontributin e saj në muzikën shqiptare ajo është nderuar nga institucionet shtetërore të Kosovës.