Flutura Zymi: Digat e paligjshme po i thajnë Ujëvarat e Mirushës

Në debatin “Jeta në Komunë” po diskutohet në lidhje me digat e “Ujëvarave të Mirushës” në qytetin e Malishevës.

Flutura Zymi, aktiviste e shoqërisë civile, ngriti çështjen e këtyre digave, e cila tha se dy digat e Lumit Mirusha, janë të jashtëligjshme.

“Digat që po ndikojnë në rrjedhën e Ujëvarës, të dyja digat janë të paligjshme, nuk kanë leje mjedisore dhe se kemi ende të qartë se kush i ka ndërtu ato, me cilin buxhet, qytetarët apo ju si komunë dhe pse i keni ndërtu ato, sepse ato s’janë në funksion hic dhe jani gati si të shkatërrume”, tha ajo.

Kurse, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj tha se kanë leje dhe pëlqim mjedisor.

“Digën e Mirushës e kam gjetur të ndërtume, s’kam bë asnjë punë e kam gjetur të ndërtuara, por merrni përgjigje prej meje. Digën e dytë e kam ndërtu unë me një projekt që ka qenë i punuar para meje dhe e kam jetësu dhe ka pëlqim mjedisor dhe ka ndikim në ambient dhe pranim teknik prej fakultetit të ndërtimtarisë”, tha Begaj.

Por, me këtë çështje nuk u pajtua asamblisti nga LVV, Alban Krasniqi i cili tha se digat nuk kanë leje mjedisore nga Ministria e Ambientit.

“Diga në  Mirushë është pothuajse e shkatërruar dhe është problem në aspektin e sigurisë për banorët që i kanë shtëpitë poshtë digës, aty është një rregullator që s’është funksional dhe pa marrë parayshë sezonës ujë nuk ka të rregullohet, sepse po të lëshohej rrjedha e lumit poshtë digës, lumi nuk do të shterej, mirëpo kjo ka ndodhë sepse komuna se ka mirëmbajt këtë projekt i cili, sikundër i Panorcit janë pa leje mjedisore e them me siguri të plotë”, tha Krasniqi.

 

Sonte në serinë e debateve “Jeta në Komunë” është i ftuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj përballë Jeta Xharrës, asamblistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, do të ballafaqohet me premtimet e vitit 2017.

Begaj do të flas për politizimin e arsimit në këtë komunë, drejtorët e shkollave me aktakuza, problemet me ujësjellës e kanalizim si dhe gurëthyesit që operojnë në këtë komunë.

Të ftuar në studio janë: Alban Krasniqi asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Mazreku nga PDK, Nexhat Krasniqi, ish-kandidat për kryetar të komunës dhe Bukurije Rrustemi, aktiviste.

Ndërsa në ZOOM merr pjesë Flutura Zymi, aktiviste e shoqërisë civile.