Burimi i fotos - Flutura Kusari - Facebook

Flutura Kusari: Intervistimi i gazetarëve shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari ka reaguar pas intervistimit të drejtorit të Insajderi.org, Parim Olluri nga Policia e Kosovës.

Sipas Kusarit, intevistimi i gazetarëve të Insajderit me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, përbënë shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së mediave.

“Intervistimi i gazetarëve të Insajderit me qëllim të zbulimit të burimit të tyre është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së mediave”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Sipas saj, Prokuroria dhe Policia nuk kanë të drejtë të kërkojnë burimin e gazetarëve pa urdhër të Gjykatës.

“Prokuroria dhe policia nuk kanë të drejtë të kërkojnë burimin e gazetarëve pa urdhër të gjykatës. Urgjentisht duhet të lirohen gazetarët e Insajderit dhe duhet të fillohen procedura disiplinore kundër policëve dhe prokurorëve që kanë keqpërdorur autorizimet e tyre duke shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve”, ka shkruar tutje Kusari.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëpërmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Në komunikatën e Prokurorisë Themelore, thuhet se “për këtë çështje është hapur rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së dhe se veprimet hetimore do të ndërmerren ndaj personave zyrtarë, e jo ndaj mediave dhe gazetarëve.

Drejtori i Insajderit, Parimi Olluri ka shkruar se është intervistuar nga Policia e Kosovës në zyrat e mediumit që ai drejton dhe se më vonë bashkë me avokatin e tij kanë qenë në Stacionin e Policisë.

Në lidhje me veprimet e Prokurorisë dhe Policisë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Veprimet e Prokurorisë kanë ardhur pas publikimit të artikujve nga ana e Insajderit në lidhje me procesin e blerjes së vaksinave anti-COVID.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, sqaron rastin për hetimet e veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”