Flutra Zymi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Qytetarët aktivë”.
Flutra Zymi: Drejtori i Teatrit Kombëtar u zgjodh në mënyrë të parregullt
Flutra Zymi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Qytetarët aktivë”, tha në emisionin “Kallxo Përnime” se gjatë intervistimit të kandidatëve për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar ka pasur parregullsi.
Më 16.02.2022, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar zgjodhi Kushtrim Sheremetin drejtor të përgjithshëm këtij Teatri.
Gjatë emisionit “Kallxo Përnime”, Zymi, e cila kishte monitoruar procesin e intervistimit të kandidatëve, tha se njëri prej kandidatëve konkurrues është trajtuar më ndryshëm se të tjerët.
Zymi tha se kandidatit njëri prej anëtarëve intervistues ia ka komentuar përgjigjen në mënyrë nënçmuese deri sa ai jepte përgjigjen para Këshillit.
“Përveç tjerash, ai ishte nënçmues, sepse tregonte se nuk ishte duke e dëgjuar kandidatin”, thotë Zymi. Ajo tha se të njëjtit kandidat një pyetje i është bërë më ndryshe dhe më shumë nënpyetje sesa kandidatëve tjerë.
Aktori Avni Abazi sa i përket zgjedhjes së drejtorit thotë se gjithçka ka qenë e kurdisur.
“Nëse shikojmë si ka shkuar procesi, dalja e lajmit dhe mbrojtja nga zyrtari i MKRS menjëherë pas reagimeve, është sinjal se gjithë procesi ishte i montuar”, tha Abazi.
Ndërsa, Visar Krusha, drejtor i Teatrit “Dodona”, tha se nuk ka një manual për intervistimin e kandidatëve për drejtor.
“Po të kishte një manual mund të gjykojmë më lehtë dhe të nxjerrim konkludimet”, tha Krusha në emisionin “Kallxo Përnime”.
Ndërkaq, Naim Berisha, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, potencoi se TKK-së i duhen drejtues të pandikuar nga klanet dhe politika.
Në debat ishin ftuar edhe përfaqësues të MKRS-së, TKK-së, dhe personalitete të skenës teatrore në vend, të cilët ose anuluan pjesëmarrjen pas konfirmimit ose nuk pranuan të vinin në debat.