Pamje e shkëputur nga videoja e incidentit. Foto: Screenshot/Youtube.

‘Floyd-i çek’ ilustron luftën për të drejtat e romëve

Një burrë qëndron i shtrirë në rrugë duke luftuar ndërsa policia i vendos gjurin në qafë. Njerëzit përreth thërrasin duke paralajmëruar se burri nuk mund të marrë frymë. Pak minuta më vonë ai ka vdekur.

Dyzet e gjashtë vjeçari Stanislav Tomas vdiq një pasdite qershori në Teplicë, një qytet i vogël në veriperëndim të Republikës Çeke. Videoja e incidentit tregon tre oficerë policie që përpiqen të mbajnë nën kontroll një burrë që bërtet ndërsa ai bën rezistencë. Kalimtarët i bëjnë thirrje policisë të ndalojë “mbytjen” e tij dhe i kërkojnë Tomas-it të mos luftojë. Në fund të videos prej gjashtë minutash, ai nuk po lëviz më.

Videoja ka shkaktuar zemërim në mesin e organizatave rome dhe krahasime me vdekjen e George Floyd në SHBA. Michal Miko, kreu i Romanonet – një rrjet OJQ-sh çeke rome – e dënoi incidentin si “kulmi i brutalitetit”.

Por ndërsa vdekja e Floyd shkaktoi lëvizjen globale “Black Lives Matter”, nuk ka gjasa që vdekja e Tomas të krijojë një vrull të tillë për “Roma Lives Matter”, ekuivalenti i Evropës Qendrore që kërkon të zbulojë diskriminimin dhe brutalitetin me të cilin përballet pakica çdo ditë.

E vërteta pas ngjarjes

Ashtu si me nëntë minuta e 26 sekonda famëkeqet të Floyd nën gjurine Derek Chauvin, rreth shkakut të vdekjes së Tomas është zhvilluar një beteje narrativash, pavarësisht se incidenti u filmua i gjithë.

Duke pasqyruar trendin populist, “e vërteta” tani nuk është realitet, por temë e një debati të ashpër bazuar në perspektivën. Padi dhe kundërpadi, propagandë e llojeve të ndryshme, lutje emocionuese, zbutje dhe mohim i ngjarjes e shumë gjëra të tjera po përdoren në përpjekje për të bërë për vete publikun.

Ndërsa videoja e incidentit filloi të tërheqë vëmendjen më 21 qershor, policia çeke veproi me shpejtësi për të deklaruar se vdekja e Tomas nuk kishte asnjë lidhje me veprimet e tyre. Ata pretendojnë se ata arritën në vendin e ngjarjes dhe e gjetën Tomas-in përtokë me lëndime. Ata raportuan se kur iu afruan, ai u bë agresiv.

Në atë moment, policia veproi për ta nënshtruar dhe thirri një ambulancë. Pasi u fut në ambulancë, ata pretendojnë se ai ndërroi jetë. Policia tha se mjekët menduan se vdekja e tij kishte ndodhur për shkak të drogës.

“Jo Floyd çek”, pohoi policia jo shumë kohë më vonë ndërsa publikoi një video tjetër. Në këtë skenë, një burrë gjysmë i zhveshur qëndron shtrirë përtokë duke bërtitur, dukshëm jo mirë emocionalisht dhe fizikisht. Ai më pas ngrihet, përpiqet të sulmojë një burrë tjetër dhe më pas godet vazhdimisht në xhamin e një makine afër.

Pas kësaj pati një deklaratë nga policia e cila tha se autopsia kishte “përjashtuar një lidhje me operacionin që i parapriu arrestimit të të dyshuarit. Sipas një raporti paraprak të autopsisë, burri dyshohej se ishte prekur nga një substancë e huaj e familjes së amfetaminës dhe autopsia zbuloi ndryshime patologjike në arteriet koronare të zemrës”.

Taktika duket e qartë, sipas Gwendolyn Albert, një aktiviste për të drejtat rome. “Ata thjesht thonë se ai ka përdorur drogë dhe më pas mendojnë se njerëzit s’do t’u besojnë syve të tyre. Por ajo video është e tmerrshme.”

Në të vërtetë, terminologjia e përdorur në të dy anët e debatit zbulon problemet e ngulitura thellë rreth të cilave rrotullohet diskriminimi ndaj romëve.

Në versionin e policisë, Tomas ishte një recidivist dhe një narkoman. Megjithatë, të afërmit dhe fqinjët e Tomas-it tregojnë një histori tjetër. Sipas tij ai nuk merrte drogë dhe priste me padurim fillimin e një pune të re si roje sigurie.

Njerëzit në lagje thanë për mediat se nuk dinë të thonë nëse burri në videon e dytë është në të vërtetë Tomas. Fytyra e personit që bërtet nuk është kurrë e qartë. Ata gjithashtu thonë se policia i ka paralajmëruar ata që të mos flasin për incidentin.

Cilado qoftë e vërteta, mosbesimi midis komunitetit rom dhe policisë është i qartë. “Njerëzit na fajësojnë pse nuk ndërhymë”, tha për mediat një banor i shtëpisë para së cilës ndodhi incidenti. “Se duhet të kishim bërë diçka, t’i dilnim në mbrojtje dhe të mos e lejonim policinë të vazhdonte t’ia mbante gjurin mbi qafë, por kisha frikë. Nuk doja të vdisja. Nëse do të shkoja ta mbroja, ata mund të më vinin përtokë edhe mua dhe të më vendosnin edhe mua gjurin mbi qafë.”

Heshtje shurdhuese

Kushtet e argumentit janë qartazi të pabarabarta. Si policia ashtu edhe lagjja kanë ndenja anti-rome dhe i përshkruajnë ata si kriminelë të zakonshëm, të varur nga droga dhe dembelë.

Këto paragjykime nuk fshihen as nga ata që janë në postet më të larta politike. Presidenti Milos Zeman e ndëshkon rregullisht një komunitet që përbën 2 për qind të popullsisë së vendit të tij duke i konsideruar “qytetarë të papërshtatshëm” që refuzojnë të punojnë.

Një retorikë e tillë nuk e ka penguar Zeman të fitojë disa zgjedhje dhe është një dëshmi e diskriminimit të përhapur kundër romëve në Çeki.

Historia e pakicës në të gjithë rajonin është e mbushur me shembuj të tmerrshëm abuzimi, duke përfshirë sterilizimin e detyruar dhe ndarjen në arsim. Paragjykimi në tregun e shtëpive ka krijuar getot rome ku kushtet janë të tmerrshme. Rreth gjysma e popullsisë rome të Çekisë prej 250,000 banorësh janë klasifikuar si “të përjashtuar shoqërisht” në raportet e qeverisë.

Përgjigja politike ndaj vdekjes së Tomas tregon mosgatishmërinë e shoqërisë çeke për të pranuar këto probleme, aq më pak për t’u marrë me to.

Ministri i brendshëm Jan Hamacek është e vetmja figurë politike që komentoi mbi incidentin. Kur e bëri këtë, ai ofroi mbështetje të qartë për policinë edhe pse po dilnin ende në pah histori kontestuese.

“Oficerët e policisë që ndërhynë në këtë incident kanë mbështetjen time të plotë”, deklaroi Hamacek. “Kushdo nën ndikimin e substancave narkotike që shkel ligjin duhet të llogarisë në ndërhyrjen e policisë. Kryesisht falë punës së policëve dhe policeve, ne jemi në mesin e dhjetë vendeve më të sigurta në botë.”

Asnjë figurë tjetër e lartë politike, qoftë nga qeveria apo opozita, nuk kishte komentuar në lidhje me këtë çështje në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Si përgjigje, Këshilli i Qeverisë Çeke për Çështjet e Pakicave Rome ka kërkuar një hetim të plotë. “Ngjashmëria e dukshme midis këtij rasti dhe vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd pas një ndërhyrjeje të policisë në SHBA në qershor 2020 duke përdorur teknika shumë të ngjashme ngre një temë me interes themelor për të gjithë shoqërinë, nëse policia po e përdor proporcionalisht forcën gjatë ndërhyrjeve të saj”, thuhet në deklaratë. “Ne e dënojmë të gjithë dhunën, përfshirë brutalitetin e policisë.”

Rrjeti Ergo, i cili grupon organizatat evropiane për të drejtat e romëve, po bën presion për të njëjtën gjë. “Ne u kërkojmë autoriteteve të mos e mbulojnë shkakun e vërtetë të vdekjes dhe të ketë një hetim të duhur”, shkroi ajo në Twitter.

“Heshtja politike është shurdhuese”, thotë aktivisti Albert. “Askush nuk e sheh këtë si një çështje në të cilën ata mund të marrin pikë politike.”

 “Roma Lives Matter”?

Të gjitha këto janë rezultat i një apatie më të gjerë. Ka pak mbështetje të dukshme në Çeki ose në rrjetet sociale për kërkesat për një hetim. Duke lënë mënjanë dyshimet mbi veprimet e policisë, shumica dërrmuese e komenteve e shohin atë si një rast të thjeshtë të një krimineli rom që ndëshkohet.

Nuk është habi që ndërkohë që lëvizja “Black Lives Matter” në SHBA shkaktoi demonstrata mbështetëse edhe në vend me pak banorë me ngjyrë, lëvizja “Roma Lives Matter” nuk po tërheq aspak mbështetje.

Kjo bën që arkivistët e të drejtave të romëve të mbeten kryesisht vetëm në këmbënguljen që incidenti në Teplice ilustron racizmin sistematik me të cilin përballet pakica në baza ditore. Të paktën, sugjerojnë ata, shoqëria çeke duhet të dëshirojë që procese policore në situata të tilla të monitorohen me kujdes.

Policia çeke gëzon besimin e gati 80 për qind të publikut, sipas sondazheve të fundit. Por pretendimet e brutalitetit policor nga komuniteti rom janë të shumta.

Rrethanat që lidhen me vdekjen e Tomas-it jo vetëm që i ngjajnë atyre të George Floyd, por ngjajnë dhe me rrethanat në të cilat ndërroi jetë një tjetër çek. Në vitin 2016, një 27-vjeçar rom – i referuar vetëm me inicialet M.D. – vdiq pasi policia e kapi atë jashtë një picerie në qytetin Zatec, vetëm 50 kilometra nga Teplicë, në të njëjtin rajon industrial.

Është raportuar se pasi u nxor nga reparti psikiatrik në spitalin lokal, burri u grind në një piceri. Megjithëse pretendohet se policia i lejoi kundërshtarët e tij ta rrihnin atë ndërsa e mbanin poshtë, nuk pati asnjë akuzë.

“Autoritetet duket se nuk e marrin seriozisht incidentin”, thotë Albert. “Ata duket se nuk u intereson se sa të pashpirt duken. Veprojnë sikur të ishte krejtësisht normale të vdesësh pasi të arreston policia.” (reporter.al)