Florian Dushi, KQZ

Florian Dushi propozohet për zëvendësministër të Drejtësisë

Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është propozuar nga kjo parti për postin e zëvendësministrit të Drejtësisë.

Kështu ka bërë të ditur Dushi në një prononcim për KALLXO.com

Ai ka deklaruar se ende nuk është emëruar zyrtarisht deri në një vendim të kryeministrit, Albin Kurti.

“Nuk jam emëru ende. Veç jam propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pritet tash emërimi formal nga ana e Kryeministrit”, tha Dushi.

Dushi ka qenë Zëvendës Ministër i Drejtësisë edhe gjatë qeverisë së Isa Mustafës në vitet 2016-2017.

Ai ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit për deputet nga radhët e LDK-së.

Dushi ka qenë anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) si përfaqëues i LDK-së në periudhën 2007-2016. Ka shërbyer si Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë (maj 2008 – qershor 2010), si dhe Këshilltar i Lartë Politik i Ministres së Ministrisë së Drejtësisë, Znj. Nekibe Kelmendi (2008).

Që nga viti 2004 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ndërsa ka qenë i zgjedhur nënkryetar i Degës së LDK-së “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë,  anëtar i Kryesisë Qendrore të Forumit Rinor të LDK-së, si dhe kryetar i FR të LDK-së, “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë.

Ministria e Drejtësisë udhëhiqet nga Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.