Florent Muslija reagon pas përjashtimit nga kombëtarja nga grumbullimi për ndeshjen kundër Qipros

Futbollisti Florent Muslija ka kërkuar falje për thyerjen e rregullave të kombëtares së Kosovës, e cila i kushtoi me përjashtim nga grumbullimi për ndeshjen kundër Qipros.

Muslija tha se megjithatë ka disa pretendime të pavërteta lidhur me të.

“Para së gjithash: Kam bërë një gabim për të cilin, natyrisht, marr përgjegjësinë. Dy ditë para ndeshës së Nations League kundër Qipros, kam lënë hotelin e ekipit pa leje. Megjithatë, nuk kam dalë për të festuar deri vonë në një klub – por për të shkuar për darkë. Thjesht me dalë pak jashtë” – ka shkruar Muslija në rrjetin social Instagram.

Futbollisti i Freiburgut ka thënë se kjo pa dyshim nuk ka qenë ideja më e mirë dhe e zgjuar e tij, sepse sporti i skuadrës funksionon vetëm kur të gjithë ndjekin rregullat e përbashkëta.

Ai është zotuar se diçka e tillë nuk do të përsëritet më kurrë dhe ka treguar se i ka kërkuar falje trajnerit dhe bashkëlojtarëve të tij.

Bashkë me Muslijën, nga grumbullimi për ndeshjen kundër Qipros janë përjashtuar edhe Arjanet Muriq dhe Edon Zhegrova, me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe përzgjedhësit Franco Foda.

Kosova ka pësuar humbje të thellë me rezultat 0-3 në “Fadil Vokrri” në startin e sezonit të ri të Ligës së Kombeve nga Rumania, më 06.09.2024.

Ndërsa, në lojën kundër Qipros, Kosova fitoi bindshëm me 4 gola të shënuara e asnjë të pranuar më 09.09.2024.