Kuvendi

Flitet për 100 ditëshin e Qeverisë, mungojnë ministrat në seancë

Në vazhdimin e seancës plenare në Kuvend, po vazhdon diskutimi për raportin 100 ditor të qeverisë Kurti II, por nga të gjithë ministrat vetëm ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ndodhet prezente.

Për këtë ka reaguar deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu.

“E nderura ministre Rizvanolli, nuk e di a je e përgjegjshme dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve apo nuk din me punu dhe nuk ki ide me punu si kolegët e tu, të cilët sot nuk janë këtu. Je e vetmja që po na shoqëron gjithë ditën, megjithatë të falënderoj që sot je me ne në raportimin e  100 ditëshit”, ka thënë Musliu.

Në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë kritikonin qeverinë dhe mungesën e ministrave në seanca. Deputetja nga radhët e LVV në aso kohe, Albulena Haxhiu kishte thënë se “sa serioze dhe sa e përgjegjshme është Qeveria, shihet nga karriget e zbrazura në të cilat duhet të jenë ulur ministrat”.