Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fletëvotimet e pavulosura në Skenderaj, PZAP refuzon që të rinumërohen disa vendvotime

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka refuzuar sërish ankesat e kandidatit për kryetar të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, lidhur me pretendimet e parregullsive gjatë procesit zgjedhor të 17 tetorit në këtë komunë.

Jashari në ankesën e dorëzuar më 29 tetor, kishte kërkuar që të hapen dy kuti të votimit dhe të rinumërohen, nën pretendimin se janë identifikuar 12 fletëvotime të pavulosura.

“Parashtruesi i ankesës thekson se duke u bazuar në fletëvotime të pavulosura kërkon që të bëhet hapja e këtyre kutive dhe rinumërimi i votave në këto kuti të votimeve dhe njëkohësisht te verifikohet saktësia e fletëvotimeve të pavulosura si kanë përfunduar në kutit e votimit dhe mospërputhja e votave për kryetar dhe subjekte, pasi që siç thekson parashtruesi i ankesës vetëm në vendvotimet e lartcekura gjenden 12 fletëvotime të pavulosura në kutitë e votimeve. Si dëshmi ka bashkangjitur deklaratën e disa vëshguesve dhe komisionerëve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në bazë të vendimit të PZAP-së që është publikuar sot thuhet se paneli ka vlerësuar se pretendimet ankimore janë të pabazuara.

“Refuzohet e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit, për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”, thuhet tutje në vendim.

Kundër këtij vendimi, pala ka të drejtë që të ushtrojë ankesë në Gjykatën Supreme, brenda 24 orëve nga momenti i marrjes-pranimit të këtij vendimi.

Vendimin e plotë të PZAP-së lidhur me ankesën e Bekim Jasharit mund ta lexoni në këtë LINK.

Më datën 21 tetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të komunës së Skenderajt.

Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.

Tri fletëvotime të pavulosura janë hasur në kutinë e votimit në vendvotimin me numër 2104b/02D. Një fletëvotim i pavulosura është konstatuar në vendvotimin me numër 2103b/01R. Një tjetër fletëvotim i pavulosur është gjetur në vendvotimin 2101X/05R, një fletëvotim i pavulosur është konstatuar në vendvotimin 2126B/01D, dhe dy fletëvotime tjera të pavulosura janë gjetur në vendvotimin me 2108B/02D.

PZAP i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.

Pas këtij vendimit, Bekim Jashari kishte bërë ankesë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit të Bekim Jasharit kundrejt vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj, e paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.673/2021, Anr.674/2021, Anr.675/2021, Anr.676/2021, Anr.678/2021, Anr.679/2021 të gjithë të datës 20.10,2021, Anr.671/2021, Anr.672/2021, dhe 680/2021. Ankesa e subjektit të njëjtë, kundër vendimit të PZAP-së, A.nr.637/2021 hidhet si e palejuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Si rrjedhojë, më këtë vendim të Supremes, Fadil Nurës së PDK-së iu konfirmua fitorja.

Bekim Jashari nga Lista e Pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,7 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind.