Benjamin Netanyahu
Fletarresti për Netanyahun teston zotimin perëndimor për të drejtën ndërkombëtare
Fuqia dhe kredibiliteti i së drejtës ndërkombëtare ka rënë në pikën më të ulët në vitet e fundit, derisa Qeveritë po refuzojnë zbatimin e fletarresteve në disa prej rasteve të profilit më të lartë, të kërkuar që të dalin në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale- vlerëson televizioni amerikan CNN në një analizë të publikuar më 04.12.2024.
Gjatë 18 muajve të kaluar, Gjykata me seli në Hagë ka lëshuar fletarreste për presidentin rus, Vladimir Putin; si dhe, për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjës, Yoav Gallant, e një zyrtar të lartë të “Hamasit” palestinez.
Netanyahu është lideri i parë aleat i Perëndimit, i akuzuar “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” prej kësaj Gjykate. Izraeli ka apeluar kërkesën dhe ka kërkuar nga Gjykata që ta anulojë fletarrestin. Njëherësh, shumë shtete të fuqishme kanë lënë të kuptohet se nuk do të zbatojnë fletarrestet – përderisa, ka vende të tjera që sheshazi kanë bërë të ditur se refuzojnë respektimin e tyre.
Përgjigjja franceze ishte mbase më e dëmshmja për reputacionin e Gjykatës- vlerëson CNN. Parisi kishte mbështetur fuqishëm fletarrestin për Putinin dhe kishte theksuar “zotimin e kahershëm për ta mbështetur drejtësinë ndërkombëtare”, pas lëshimit të fletarrestit për Netanyahun. Por vetëm disa ditë më vonë, Ministria e Jashtme franceze ndryshoi krejtësisht qëndrimin e vet, duke sugjeruar se Izraeli nuk është shtet anëtar i Gjykatës, e se Kryeministri i tij ishte imun ndaj arrestimit.
Kritikët kanë thënë se përgjigjet sugjerojnë për dy tipe rregullash: njëri i aleatëve tradicionalë të Perëndimit dhe tjetri i armiqve të tij të përbetuar.
Traktati themelues i GJNP i obligon 124 shtetet nënshkruese të arrestojnë Netanyahun dhe Gallantin- ka thënë James Joseph, redaktor përgjegjës në Jurist News.
“Duket përherë e më pak e mundshme se shtetet do ta zbatojnë këtë obligim”- ka deklaruar ai për televizionin CNN. “Shtetet nuk mund të pretendojnë sukses në drejtësinë penale ndërkombëtare, nëse nuk i qëndrojnë zotimit për zbatimin e të drejtave të gjithsecilit të përfshirë.”
Rasti i Netanyahut ishte goditja e fundit ndaj autoritetit të Gjykatës. Në shtator, Putini udhëtoi në Mongoli pa rrezikun e përballjes me ndonjë reperkusion. Megjithëse, është nënshkruese e Statutit të Romës- traktati me të cilin ishte themeluar Gjykata më 2002- Mongolia e priti me qilim të kuq liderin rus.
Ky ishte udhëtimi i parë i Putinit në një shtet anëtar të GJNP, pasi Gjykata kishte lëshuar fletarrestin kundër tij, në marsin e vitit 2023 me dyshimin se roli i tij për dëbimin e paligjshëm ukrainas përbënte krim lufte.
Ndërkaq, pas urdhërit të Gjykatës për arrestimin e Netanyahut, kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se shteti i tij anëtar i BE do ta mirëpriste liderin izraelit, nëse dëshiron ta vizitojë Hungarinë pa rrezikun se mund t’i vihen prangat dhe t’i dorëzohet GJNP.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com