Xhelal Sveçla - Foto: Facebook

Flet Xhelal Sveçla pas lajmit se ishte ulur bashkë me Gjuriqin

 

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla është deklaruar në lidhje me lajmet dhe fotografitë e publikuara se ai po takohet me Marko Gjuriqin, Shefin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se është pjesmarrës në një konferencë për Bashkëpunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku janë ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit”, ka deklaruar Sveçla.

Ai tha se kundërshtarët e LVV-së kanë shpërndarë fotografinë.

“E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq. Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosovës, ndryshe nga paraardhësit tanë”, ka thënë ai.

KALLXO.com raportoi edhe më parë në lidhje me sqarimin e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë takim.

Orët e mbrëmjes së sotme u publikuan disa fotografi të Xhelal Sveçlës i cili shihej në një tavolinë me Shefin e Zyrës së Qeverisë së Serbisë në Kosovë.

LVV sqaron- Fotoja e Xhelal Sveçlës me Gjuriqin nga një konferencë

.