Foto: Xhavit Ukaj/Facebook

Flet Xhavit Ukaj: Nuk e ofendova Vjosa Osmanin, shkova të konsultohem pse ma bëri me gisht

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj në një bisedë telefonike me KALLXO.com ka thënë se nuk e ka ofenduar dhe kërcënuar kryetaren e Kuvendit dhe bashkëpartiaken e tij Vjosa Osmani.

Ukaj për KALLXO.com tha se u afrua te Osmani për tu konsultuar se pse ia bëri me gisht.

“Ju e keni parë në televizor, dhe kurrgjë kurrkujt, janë kamerat incizimet. Unë as nuk e kam ofenduar as nuk e kam kërcënuar asgjë. Un ë e mohoj edhe mos me mohu unë janë kamerat aty. Janë inçizimet, qyshdo që them unë janë inçizimet”, ka thënë Ukaj.

“Po normal, ne krejt afrohemi na kemi të drejtë të diskutojmë dhe të konsultohemi, ma boni me gisht dhe shkova me u konsultu pse po ma bon me gisht. Unë i kam pasur dy telefona në dor me pas dashtë me sulmu e kisha gjujt me njërin telefon por dy telefonat i kam pasur në dorë. As që e kam ofenduar as edhe një fjalë të rëndë nuk ja kam thanë, janë të gjitha incizimet”, shtoi ai.

Tutje Ukaj tha se pas këtyre ngjarjeve ai do të vazhdoj të shkoj në seancat e radhës.

“Veprimet e mia, kanë me qenë, unë jam deputet shkoj në seancë bëj si gjithë cfarë kam bërë nuk kam asgjë me Vjosën”, ka përfunduar Ukaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli ishte zyrtari i parë i kësaj partie që reagoi publikisht ndaj sjelljes së deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Avdyli tha se përjashtimi i Ukajt është pak.

E këtyre deklaratave iu përgjigj edhe Ukaj.

“Ju lejeni Haxhi Avdylin, ky është shok i asaj, lejeni Haxhi Avdylin. Nuk e di pse po merreni edhe me Haxhi Avdylin aj as që ka qenë aty”, tha ai.