Flet vëllai i shoferit që humbi jetën në Kroaci

Në mesin e 10 viktimave nga aksidenti i sotëm në Kroaci ka qenë edhe një shofer i autobusit që pësoi aksident në autostradën afër Sllavonski Brodit.

Vëllai i vogël i shoferit që ka humbur jetën në këtë aksident, Ilir Sylmetaj, thotë se rreth orës 8:30 janë njoftuar nga agjencioni turistik se vëllai i tij nuk i ka mbijetuar aksidentit.

Ai po ashtu tha se shoferi që ka humbur jetën në momentin e aksidentit ka qenë duke pushuar dhe sipas tij, vëllai i tij ka vozitur 4 deri në 6 orë.

“Saktësisht s’e di orën sa ka pasur të drejtë ai me vozit, por unë e di që ka vozitur katër deri në gjashtë, por nuk e di saktë, por momentin e aksidentit vëllai ka qenë në pushim. Ne na kanë informuar agjencioni se vëllai nuk ka qenë tu vozit, ka qenë në pushimore edhe për atë ka vdekur”, tha Sylmetaj për ‘RTV Dukagjini’.

Ai thotë se vëllai i tij këtë punë e ka bërë prej një viti.

“Të vetmen punë e ka pasur këtë. Më këtë punë e ka mbajtur familjen”, ka deklaruar vëllai i tashmë të ndjerit Naser Sylmetaj.

Dhjetë persona kanë mbetur të vdekur e mbi 40 të tjerë  të lënduar në aksidentin e një autobusi nga Kosova në Kroaci.

Autobusi po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës i mbushur me udhëtarë kosovarë që vinin drejt Kosovës për pushime.