Flet prokurori që hetoi rastin e veturës "Bentley" që iu konfiskua Morena Tarakut

Shpend Krasniqi, ish-prokuror, i cili hetoi dosjen e veturës luksoze “Bentley” të Morena Tarakut, në një bisedë ekskluzive për KALLXO.com tregoi në detaje se si u bë lirimi i kësaj veture e cila më pas doli se ishte në kërkim ndërkombëtar e që sot është bërë sërish temë diskutimi pas disa audio-incizimeve të publikuara nga media online “Shqip.com”.

Në tetor të vitit 2019, KALLXO.com publikoi hulumtimin se si Prokuroria e Prishtinës kishte vendosur që të mos e ndjekë penalisht Morena Tarakun përkundër se Dogana e Kosovës kishte vlerësuar se e njëjta ka tentuar t’i shmanget pagesës së taksës doganore prej 14 mijë e 118 euro.

KALLXO.com kishte siguruar në atë kohë dokumentin e Doganës së Kosovës që konstatonte se Morena Taraku ka deklaruar një veturë të re të tipit “Bentley” në vlerë 235 mijë euro. Veturat e reja, bazuar në kodin doganor, nuk i nënshtrohen pagesës së taksës doganore.

Por, Dogana ka konstatuar se vetura në fjalë kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe kishte regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë më 22.07.2019, prandaj për zhdoganimin e saj duhej të paguhej edhe tarifa doganore.

Kjo veturë qëndroi e sekuestruar për një kohë, ndërsa pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com filloi edhe një gjueti ndaj zyrtarëve të Doganës e Policisë – sinjalizuesve të cilët ishin përfshirë në rastin e njohur tashmë të Morena Tarakut.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish-prokurorin e rastit të Morena Tarakut, Shpend Krasniqi, i cili ishte pjesë e vendimit të mbylljes së hetimit në atë kohë të të njëjtit rast, ndërsa në vendimin e siguruar në atë kohë nga KALLXO.com përmendej edhe Kryeprokurori i tanishëm i Prishtinës, Kujtim Munishi.

Krasniqi thotë se asnjëherë nuk ka biseduar apo takuar me personin i cili pretendohet të ketë përdorur informacionet sekrete kundër Kryeprokurorit Lumezi e prokurores Shemsije Asllani për të liruar një veturë të konfiskuar.

“Përgjimet që janë bërë në mes të gjyqtarit dhe palës, unë palën asnjëherë nuk e kam pasur në zyrë, asnjëherë nuk më ka kontaktu, e gjitha ka shku përmes dokumentacionit dhe hetuesisë. Ajo vetë është konfiskuar dhe pronari i veturës në Gjermani ka kërku me u kthy përmes Ambasadës gjermane këtu në Prishtinë”, tregon Krasniqi.

Ai tutje jep detaje të lirimit të veturës “Bentley” që u sekuestrua nga Morena Taraku më 29 tetor 2019.

“E kemi bërë një kërkesë që u pajtu me u kthy vetura dhe atje ka qenë e paraqitur gjoja se është e vjedhur dhe pronari ka thënë se nuk ju ka pagu vetura, pronari i veturës ka qenë një gjerman”, tregon tutje ish-prokurori Shpend Krasniqi.

Ai thotë se për veturën “Bentley” të sekuestruar nga këngëtarja Morena Taraku nuk është thirrur nga asnjë prokuror apo gjyqtar.

“Ne, sigurisht, lidhur me atë nuk jam kontaktu me sa më kujtohet jo, por kemi biseduar rreth rasteve që janë bërë pak më… sepse ky rast është bërë medial edhe është bisedu pa dyshim që po. Te unë asnjëherë nuk është lajmëru (prokurorja Shemsije Asllani), jo nuk kam informacione”, thotë tutje Krasniqi.

Ai përmend se për veturën “Bentley” është interesuar edhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi pasi që në atë kohë hulumtimi i KALLXO.com kishte ngritur debat në publik.

“Unë të thash se rasti është bërë medial dhe ai (Lumezi) është interesu çka është ka ndodh por me më kontaktu drejtë për drejt me thanë qe qysh me bë me të me sa më kujtohet jo. Ka pyet se çka është çështja që është bërë mediatike”, tregon tutje Krasniqi.

Ai shpjegon procedurën e lirimit të veturës “Bentley” të konfiskuar nga Taraku.

“Nuk më kujtohet ndoshta ka data 20 janar 2020 edhe vetura është kthyer personave të autorizuar që i ka dërgu pronari gjerman. Për mu kthy, ne e kemi pra prokuroria e ka sekuestru në bazë të dokumentacionit kemi vendos me bo një kërkesë në gjykatë dhe gjykata ka dhanë vendimin me u kthy”, shpjegon Krasniqi.

Në atë kohë Krasniqi thotë se është konsultuar për kërkesën edhe me tani më kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi i cili në atë kohë kishte pozitën si ushtrues detyre.

Për veturën e cila sipas Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi pretendohet se bisedohet në audio- inicizime, ka thënë se është kthyer por ka procedurë penale për një person.

“Vetura e cila bisedohet, më  24.12.2019 ia kemi kthy autoriteteve gjermane ndërsa procedurën penale jemi duke e zhvilluar për një person për shmangie të procedurës doganore dhe kemi lëshu urdhër arrest për të. Çfarë favori është bërë këtu. Për veturën Bentley kemi aktvendim për fillim të hetimeve”, tha Lumezi sonte përmes telefonit në RTV Dukagjini.

Hulumtimi i KALLXO.com

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka vendosur që të mos e ndjek penalisht Morena Tarakun, përkundër se Dogana e Kosovës ka vlerësuar se e njëjta ka tentuar t’i shmanget pagesës së taksës doganore në vlerë prej 14 mijë e 118 euro.

KALLXO.com e ka siguruar dokumentin e Doganës së Kosovës që konstaton se Morena Taraku ka deklaruar një veturë të re të tipit Bentely në vlerë prej 235 mijë euro. Veturat e reja, bazuar në kodin doganor, nuk i nënshtrohen pagesës së taksës doganore.

Por, Dogana ka konstatuar se vetura në fjalë kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe kishte regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë me datën 22.07.2019, prandaj për zhdoganimin e saj duhet të paguhet edhe tarifa doganore.

Vetura regjistrimin e parë e ka pasur para në emër të Kompanisë ‘KLT Logistik GmbH’, që përfaqësohet nga një kosovar, ndërsa me datë 7 tetor të këtij muaji ka dalë në emër të B.K.

“Duke u bazuar në dokumentacionin përcjellës dhe me njoftimin e zyrtarit të pranimit qendror është konstatuar se automjeti është i përdorur pra konform Këshillës ligjore të bashkangjitur si dhe librezës vetura nuk e gëzon trajtimin si veturë e re”, thuhet në një email të Drejtorisë së Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës ka vlerësuar se pronarja e kësaj veture duhet të obligohet që të paguajë edhe 14 mijë e 118 euro taksë doganore, që ajo ka tentuar t’i shmanget.

“Nga ana e Doganës konsiderohet se vetura është e përdoruar me ç’rast është bërë përmirësimi i DUD-it, dhe si i tillë i nënshtrohet pagesës së taksave doganore në vlerë prej 57,416 euro, e jo 43,298 euro siç është deklaruar nga ana e Agjentit Doganor, pra kemi të bëjmë me ndryshim prej 14,118 euro që konsiderohet se është shmangie nga pagesa e tarifave doganore”, thuhet në shkresën e Doganës së Kosovës të cilat i ka siguruar KALLXO.com.

Rasti është konfirmuar edhe nga zyra për informim e Doganës së Kosovës.

“Duke iu referuar rastit te trajtuar nga ju, ju informojmë se  kjo veturë është deklaruar si e re, por duke u bazuar në dokumentacionin është konstatuar se automjeti është i përdorur, dhe se vetura nuk e gëzon trajtimin si veturë e re. Vetura në procedurë regjistrimin e parë e ka me datë 22.07.2019 (mbi dy muaj nga tani)”, thuhet në përgjigjen e Adriatik Stavilecit.

Ai ka thënë se rasti është dërguar në prokurori.

“Pasi importuesi nuk deklaron saktë numrin tarifor dhe automjeti është i përdorur, nën dyshimin për pagesë më të ulët të detyrimeve doganore dhe vlera e detyrimeve doganore e tejkalon shumen 5,000 euro, rasti për shkak të deklarimit të pasaktë të dhe shmangies së konstatuar mbi 5,000 euro është referuar në Prokurori nga Sektori i Hetimeve të DK-së”, thuhet ne përgjigjet e Doganës drejtuar KALLXO.com

KALLXO.com ka mësuar se zyrtarët e Doganës së Kosovës janë takuar me kryeprokurorin e Prokurorisë, Kujtim Munishi. Ky i fundit i ka udhëzuar zyrtarët e Doganës që të vlerësojnë veturën si të re.

Përkundër kësaj, Dogana e Kosovës i është drejtuar edhe njëherë kryeprokurorit Kujtim Munishi duke ia bashkangjitur gjitha dokumentet për lëndën në fjalë dhe kanë kërkuar një vendim me shkrim nga Prokuroria e shtetit.

Pas kësaj shkrese, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar edhe me shkrim se vetura e importuar në emër të Morena Tarakut duhet të trajtohet si e re.

Në autorizim thuhet se ‘pas konsultimit mes prokurorit Shpend Krasniqit, Kryeprokurorit Kujtim Munishi e Prokurorit tjetër Bashkim Zeqaj ku ka qenë të pranishëm edhe dy hetuesit doganorë, kanë marrë vendim se vetura e Morena Tarakut është regjistruar më 22 korrik të këtij viti në emër të KLT LOGISTICS dhe në bazë të shikimit të librezës regjistrimi është një ditor po ashtu’.

Tutje në po të njëjtin autorizim, thuhet se bartjen e veturës nga Gjermania në Kosovë e ka bërë B.Kelmendim, i cili ka qenë me autorizim.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se Dogana e Kosovës nuk ka ndonjë dëshmi se vetura ka qenë në qarkullim që nga koha kur është regjistruar për herë të parë e deri në kohën e eksportit në Kosovë.

Prokuroria i ka sugjeruar që Dogana e Kosovës të i drejtohet autoriteve doganore në Gjermani për tu siguruar nëse vetura ka qenë në qarkullim.

“Autorizoheni (drejtuar Doganës së Kosovës)  që për të hequr çdo dilemë rreth asaj se vetura në fjalë a duhet ë trajtohet si e re apo si e përdorur t’i drejtoheni autoriteteve doganore të Gjermanisë që të konfirmojmë regjistrimin e datës 22 korrik është regjistrim vetëm një ditor për çështje procedurale apo vetura është lëshuar në qarkullim të lirë dhe është përdorur në Gjermani nga kjo datë”, thuhet në autorizimin e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë autorizim edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

I njëjti ka thënë nuk është në dijeni rreth rastit të veturës së Morena Tarakut.

“Jo nuk di asgjë për rastin, nuk e di ka i keni marrë ju këto informacione por informacionet janë të pasakta”, ka thënë Munishi, për të cilin prokurori i po të njëjtës prokurori të cilën e drejton ky i fundit, ka treguar në autorizim se për rastin është konsultuar edhe Munishi.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me vetë Morena Tarakun por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Skandali me rastin e Morena Tarakut – Vazhdon gjuetia ndaj sinjalizuesve