Prokurori Abdurrahim Islami. Foto: Kallxo.com

Flet prokurori i Azem Sylës, fajëson gjykatën për lirimin

Prokurori i rastit “Toka”, Abdurrahim Islami, ka folur për KALLXO.com, duke deklaruar se është e çuditshme se si gjykata ka vendosur të mos vazhdoj masën e arrestit shtëpiak ndaj Azem Sylës.

Ish-prokurori, i cili është pensionuar javën e kaluar, tha se në të gjitha rastet, prokurorët nuk bëjnë propozim për vazhdim të paraburgimit, dhe se gjyqtarët vendosin pa propozim.

“Unë besoj që po edhe ne 99.9% të rasteve deri më tani, asnjëherë kryetari i trupit gjykues apo prokurori nuk ka pasur nevojë me parashtru propozim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak. Çdo herë është vendosur kështu”, tha prokurori Abdurrahim Islami.

Më tej, ai shtoi se nuk do të bënte kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak edhe po të vazhdonte të ishte prokuror i rastit.

“Po të isha aty nuk do të parashtroja kërkesë, kurr sështë parashtru dhe nuk po e shoh të nevojshme”, tha në fund ish-prokurori Islami.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e trupit gjykues, gjyqtarin Beqir Kalludra, për ta pyetur nëse më parë ka vendosur për vazhdimin e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarit Azem Syla pa kërkesën e prokurorit.

Gjyqtari Kalludra, nuk ka dashur të përgjigjet, ngase sipas tij “nuk ka nevojë për shpjegime shtesë”. Megjithatë, Kalludra ka thënë se nuk e di nëse më herët  ka vendosur për t’i vazhduar arrestin shtëpiak Azem Sylës, pa kërkesën e prokurorit, është përgjigjur se “nuk e di”.

“Nuk e di, nuk e di, besom”, tha gjyqtari Kalludra për KALLXO.com.

Të premten kryetarja e Gjykatës së Prishtinë Afërdita Bytyqi tha se arsyeja e lirimit të Azem Sylës ishte tek prokuroria e cila nuk kishte bërë kërkesë për zgjatjen e masës.

“Prokuroria nuk ka bërë propozim për zgjatjen e masës së arrestit shtëpiak. Kësisoji, ai nuk ka më asnjë masë (të sigurisë)”, ka thënë  Bytyqi. Kryeprokuror i Speciales Reshat Millaku në anën tjetër ka thënë për KALLXO.com se ishte njoftuar nga mediat për vendimin për lirimin e Sylës nga paraburgimi.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.