Flet përfaqësuesi i kompanisë së mishit që u bastis nga Prokuroria e Pejës

Një aksion i para pak minutave i Prokurorisë së Pejës në një fabrikë të mishit në Pejë ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të madhe të mishit.

Sipas prokurorisë, 3 mijë e 450 kilogramë mish janë konfiskuar pasi nuk i plotësojnë kushtet për konsum.

KALLXO.com ka marrë vesh se fabrika që ishte objekt i bastisjes është fabrika “Buquku”.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Drejtori Financiar i Kompanisë, Fisnik Nimoni.

Prokurori i rastit Ersan Qavolli kishte treguar për KALLXO.com se në këtë fabrikë kanë konfiskuar 3450 kilogram pas “vendi ku është vendosur ka qenë vendi që përmban mbeturinat-lëkurat e lopëve, e qe temperatura duhej të ishte -18, por që në rastin konkret ka rezultuar në +7”.

Sipas tij edhe 7 lopë janë konfiskuar pasi nuk kishin pasur matrikula të vendosura.

Përfaqësuesi i kompanisë nuk i ka mohuar këto të gjetura mirëpo ka dhënë shpjegime për secilën prej tyre.

Sa i përket lopëve të konfiskuara nga zyrtarët e doganës, Nimoni tha se ata kanë sqaruar se gjethët kishin qenë të doganuara në mënyrë të rregullt.

“Numër të matrikulës, gjedhëve të importuara nuk mundet me ju vendos shteti jonë, pra ato matrikula kanë ra nga veshët e gjedhëve gjatë transportit”, tha Nimoni.

Ndërsa sa i përket mishit të gjetur në temperaturë 7 gradë, sipas përfaqësuesit të kompanisë ai po përgatitej për përpunim.

“Ai ka qenë i gatshëm për përpunim, asnjeherë mishi i ngrirë nuk përpunohet, ne jemi kompetent dhe punojmë sipas gjitha standardeve me të avancuara (Iso, Hsap, Halall), pra i njëjti mish për të cilin flasim nuk është asgjësuar, po vetëm është blombuar për verifikim, gjithashtu edhe gjedhët janë konfiskuar dhe janë dërguar në Burgun e Dubravës vetëm deri në verifikim nga Dogana dhe shqyrtim nga Prokuroria, tha Nimoni.

Ai gjithashtu tha se mishi i blerë nuk është asgjësuar.

“Pra ju sigurojme ju dhe qytetarët se gjedhet e konfiskuara do të kthehen prapë në kompani dhe se asnjë kg mall nuk është asgjësuar sot”, përfundoi ai.

Pejë, në fabrikën e mishit konfiskohen mbi 3 mijë kg mish e 7 lopë