Flet Kujtim Shala (i vërteti): Nuk u kontaktova nga portalet, s’kam lidhje me VV-në

Mbrëmë, Qeveria në detyrë e Kosovës e cila udhëhiqet nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje emëroi borde të përkohshme në tri Ndërmarrje Publike.

Ndër to edhe ajo për Ndërmarrjen Publike Qendrore “Posta e Kosovës”.

Disa media raportuan se Kujtim Shala, drejtor i emëruar nga Qeveria në detyrë është ish-kandidat për deputetë i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, KALLXO.com raportoi se disa prej medieve online ia kishin huq për shkak se bëj fjalë për një Kujtim Shala tjetër, jo ai i cili ishte emëruar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Shala ka thënë se nuk është kontaktuar fare nga portalet të cilat ia kanë përmendur emrin.

Ai e ka pohuar që është zgjedhur anëtar i përkohshëm në bordin e Postës së Kosovës ndërsa ka mohuar se është pjesë e partisë së Albin Kurtit.

“Po, unë jam zgjedh anëtar i përkohshëm. E kam pa edhe unë në portale një Kujtim Shala në fotografi, por nuk jam ai. Unë nuk jam i Prizrenit, jetoj në Fushë Kosovë. Nuk kam kurrfarë lidhje me Vetëvendosjen as nuk jam pjesë e saj, as në struktura. Veç e kam një vullnet, një dije dhe një profesion që muj me kontribu dhe vlerësoj shumë mundësinë që mu ka dhënë”, ka thënë ai.

“Jo, jo (nuk jam kontaktuar nga mediat), ju jeni të vetmit që më keni kontaktuar deri tash”, deklaroi ai.

Shala tha se ka përvojën dhe përgatitjen për pozitën në të cilën është emëruar përkohësisht.

“Unë e kam dërgu një letër interesim e kam përgatitë CV-në dhe kjo ka qenë e gjitha. Jam Auditor i licencuar, jam ekonomist kam magjistraturë në shkencat ekonomike”, tha ai.

“Unë kam qenë i përgatitur që të aplikoj në konkursin publik dhe këtu janë emërimet e përkohshme në afat gjashtë mujor, ashtu po thotë edhe ligji. Do të aplikoj edhe  në konkursin publik për të rregullt”, tha në fund Kujtim Shala.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për emërimet politike nëpër tri bordet e ndërmarrjeve publike.

Edhe një anëtar tjetër i LVV-së emërohet në Bordin e përkohshëm të Infrakosit

www.kallxo.com