
Izmir Zeqiri, vendoset në zyre të Komunës së Zubin Potokut, Foto: RTV Dukagjini
Flet kryetari i Zubin Potokut: Po presim me u kriju kushtet me shku në zyrë
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka thënë se aktualisht nuk gjendet në zyrën e tij të punës, në objektin e komunës, por pret së shpejti që të shkojë atje.
Në një deklarim për KALLXO.com, Zeqri tha se gjendja e sigurisë sot, duket më e qetë se ditën e djeshme.
“Planet i kemi në çdo moment me shku në komunë, e shqyrtojmë orë më orë situatën. Momentalisht jam në zyret komunale për komunitete në fshatin Qabër. Por në çdo moment ne presim si të krijohen kushtet ne me shku” – tha kryetari i zgjedhur i Zubin Potokut.
“Duket sot që është më e qetë, nuk është e tensionuar sikur dje…” – tha tutje Zeqiri.
Izmir Zeqiri fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 23 prillit të cilat u mbajtën në katër komunat e veriut të vendit.
Ai përsëriti edhe njëherë dëshirën e tij, që të vendoset në zyrën e objektit të komunës.
“Ne vetëm po presim momentin, a shkojmë me përcjellje apo pa përcjellje, ne dëshirojmë të shkojmë pa përcjellje sigurisht, por ne dëshirojmë të shkojmë në zyrë” – tha Izmir Zeqiri.
Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.
Serbë lokal po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Gjatë së hënës, protestuesit serb u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Misioni i NATO-s në Kosovë konfirmoi se tre ushtarë u plagosën nga arma e zjarrit ndërsa 30 të tjerë të lënduar.