Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Flet komisionerja e LDK që u përjashtua nga qendra e numrimit në Ferizaj, mohon akuzat ndaj saj

Egzona Hyseni është komisionerja e cila është përjashtuar nga Qendra e Numrimit e Rezultateve në Ferizaj gjatë ditës së sotme (15.02.2025).

Për këtë çështje raportoi edhe KALLXO.com, ndërsa Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Ferizajt, Shaban Rexha tha se komisionerja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzona Hyseni është përjashtuar pasi dyshohet se e njëjta gjatë numërimit të votave, ka pasur me vete një stilolaps ngjyrë tjetër nga ajo që lejohet të jetë në tavolinën e numërimit të votave.

Këto akuza i ka hedhur poshtë komisionerja e LDK-së Egzona Hyseni, e cila njëherit është edhe vajza e kandidates për deputete nga radhët e kësaj partie, Bahrije Hysenit.

Në një përgjigje për KALLXO.com komisionerja Hyseni, ka deklaruar se mbi tavolinën e numërimit të votave nuk ka pasur stilolaps dhe ka kundërshtuar se ka pasur tendencë të ndikojë në ndryshimin e votave.

“Ai stilolaps nuk është gjetë përmbi tavolinë, nuk është gjetë në dorën teme, ai stilolaps ka qenë në çantë. Në momentin që ma kanë kërku stilolapsin, unë e kam dhënë e stilolaps ma merr mendja që secili mbanë në çantë, por sido që të jetë stilolapsi nuk është gjetë në tavolinë të punës dhe as në dorën time”- ka deklaruar Egzona Hyseni.

Sipas saj, vërejtja që mori ishte nga një vëzhgues nga Partia Demokratike e Kosovës dhe se kjo sipas saj  po bëhet vetëm për shkaqe politike.

“Po pikërsisht mua mu kanë kapur për këtë, sepse kemi pasur kotroll pasi që jam edhe çika e kandidates Bahrije Hyseni, për këta ka qenë edhe kontrolla edhe këto janë çështje politike”- ka thënë Hyseni.

Njëjtë është deklaruar edhe kandidatja për deputete nga LDK, Bahrije Hyseni, e cila tha se kjo gjë është bërë për çshtje politike e partiake.

“Kjo është veç për çështje partiake, për njollosje të emrit…Jemi në proces dhe nuk po dua ta bëjë të madhe, kështuqë kurrgjë s’ka pasë, ka pasë veç për shkak të njollosjes që e kanë kuptu që është vajza jem”- ka deklaruar Bajrije Hyseni.

Ndërkaq, për këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë në Ferizaj, por që të njëjtit kanë deklalruar se për këtë nuk ka ndonjë arrest.