Biznesmeni Bedri Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Flet ish avokati i njërit prej të pandehurve në rastin e Bedri Rexhepit

Berat Tmava, ish avokat i njërit prej dy të pandehurve në rastin vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi ka thënë se ish klienti i tij, J.V. ka pranuar se e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Po ai e ka pranu në fund, po ka thanë që e ka kry veprën tash në fund” – tha Tmava.

Ai tha se tashmë nuk është më avokat mbrojtës i të pandehurit, me kërkesë të familjes së këtij të fundit.

“Unë e kam mbrojt J.V. deri sa është ngritë aktakuza, vetëm gjatë fazës së hetimeve e kam pas klient. Familjarët po thonë se nuk kemi mundësi me e vazhdu me pagu më” – ka thënë Tmava.

Sot gjatë ditës Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për media.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti tha se përfitimi material prej 30 mijë euro, dyshohet të ketë qenë arsyeja e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina.

Hamiti tha se është vërtetuar që mbetjet mortore i takojnë Rexhepit ndërsa bëri të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj dy personave për vrasje të rëndë.

Prokurori tha se motivi i ekzekutimit dyshohet të jetë përfitimi material, përkatësisht shumës rreth 30 mijë euro.

“Dje gjatë ditës kam informuar familjarët se në bazë të gjetjes është identifikuar identiteti i viktimës. Kam ngritur aktakuzë kundër dy personave, vëllezër, për vrasje të rëndë dhe dëmtim të kufomës” – tha prokurori Hamiti.

Hamiti duke folur për kronologjinë e hetimeve tha se në aktakuzë janë paraparë 29 dëshmitarë relevant.

Ai tha se me të pranuar informatën, menjëherë me Policinë e Kosovës kemi filluar hetimet për zbardhjen e këtij rasti.

“Kemi filluar me njësitin K-9 në pjesën ku është gjetur vetura, por nuk ka pas rezultat. Kanë filluar hetimet edhe në pjesën nga Artana apo Novobërda, në atë pjesë janë përfshi të gjitha njësitet e kërkim shpëtimit, as këtu nuk kanë dhanë rezultat fatkeqësisht” – tha prokurori.

Ai tutje shtoi se bashkëpunim kanë pasur edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës.

“Nuk jemi ndal, se di sa herë kemi dal në teren për me e kërku trupin e të ndjerit, nuk ka pasur rezultate. 29 dëshmitarë relevant janë të paraparë në aktakuzë” – ka njoftuar prokurori i rastit, Armend Hamiti.

Ai shtoi po ashtu se janë siguruar të gjitha kamerat e sigurisë për hetime ndërsa kanë ekzaminuar edhe telefonat e të pandehurve.

“Më datën 30 shtator 2022 arritëm të gjejmë mbetjet mortore. Kemi bërë ekzaminim të telefonave të pandehurve. Është bërë hartofonia e telefonave. Janë siguruar të gjitha kamerat e sigurisë për hetime. Kemi zbatuar masa të fshehta të hetimeve” – shtoi Hamiti.

Ai tutje tha se në shtator 2022 kanë dalë dy herë edhe me të pandehurit në teren, por prapë nuk kanë rezultuar në sukses të dyja daljet.

“Në ditën e tretë pa të pandehurit e kemi bërë identifikimin e vendit”- tha ai.

Biznesmeni Rexhepi nga Prishtina ishte zhdukur më 8 prill të vitit 2021 rreth orës 16:30.

Që nga fillimi në lidhje me këtë rast ka pasur disa persona të dyshuar për zhdukjen e Rexhepit.

Për po të njëjtin rast, në gusht të vitit 2021 ishte arrestuar edhe S.G., ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar edhe masën e paraburgimit.

Lidhur me këtë rast ishte arrestuar edhe një grua. Arrestimi kishte ndodhur në qershor të këtij viti.

Familjarët dyshimet më të mëdha i kishin në një klient me të cilin bashkëpunonte biznesmeni Rexhepi.

Prokuroria më 30 shator 2022 kishte njoftuar se ishin gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Rexhepi.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, mbetjet mortore do t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin.

Prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe FSK, kishin dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara).

Këto mbetje mortore u tha se dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e ‘Rrëmbimit’ dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve.

Prokuroria për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi: Dyshohet se u vra për përfitim të 30 mijë eurove