Flet drejtori i shërbimeve publike në Pejë pas publikimit të videos së punëtorit i cili i zhvendos mbeturinat nga bregu në lum

Një person i cili është angazhuar për të pastruar “Lumbardhin” në Pejë, është parë duke i zhvendosur mbeturinat nga bregu në lum.

Në redaksinë e KALLXO.com një qytetar ka dërguar video ku shihet punëtori teksa i hedh mbeturinat në lum.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë, Agron Nikçi ka thënë se punëtori i cili shihet në video është i angazhuar me kontratë në mes të kompanisë “Ambienti” dhe komunës.

“Punëtori që shihet në video është një punëtor i cili është i angazhuar me një kontratë që kemi në mes të kompanisë “Ambienti” dhe Komunës, pasi u konsultova me menaxherin e ekipit të punëtorëve që është i angazhuar në pastrimin e lumit dhe kanaleve në qytet, mora informacion për rastin në fjalë ku punëtori sot gjatë ditës hodhi shishet plastike në lum, dhe në të njëjtën kohe duke i larguar objektet më të mëdha nga Lumëbardhi ashtu siç shihet ne videon e dërguar nga ju”, ka thënë Nikçi.

Ai ka shpjeguar se rreth 50 dhe 200 metra më poshtë nga ai vend janë të ndërtuara dy pragje betoni që ndalojnë shishet dhe mbeturinat që të mos vazhdojnë tutje në Lumbardh.

“50 metra dhe 200 metra më poshtë nga ai vend janë të ndërtuara dy pragjet nga betoni që ndalojnë ato shishe dhe mbeturina të tjera mos me vazhdu tutje ne Lumbardh dhe pastaj nga aty mblidhen dhe ngarkohen në kamion për t’u larguar në deponi”, është shprehur Nikçi.

Tutje drejtori ka thënë se do të dalë dhe të shoh nëse kjo është metoda më e përshtatshme e largimit të mbeturinave.

“Unë si Drejtor i DPKSHP do të dale dhe te shoh nëse kjo është metoda më e përshtatshme nga ata punëtorë për largimin e mbeturinave pas rënies se nivelit te ujit  dhe si do te veprohet për të bërë më të mirën që Lumbardhi te jetë i pastër”, ka deklaruar Nikçi.