Foto: KALLXO.com

Flet avokati që dyshohet se tentoi të fuste telefon në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

Në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan oficerët korrektues sot kanë arritur të parandalojnë futjen në Qendër të një telefoni celular me SIM kartelë.

Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Personi i dyshuar është një avokat.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin Ymer Huruglica dhe i njëjti nuk e ka mohuar se i është gjetur në çantë një telefon.

“Telefoni më është gjetur në çantë pasi një kohë të gjatë e kam menduar se më ka humbur. Është e vërtetë se telefoni kish qenë në fund të çantës dhe unë edhe në veturë e kam kërkuar duke menduar se më ka humbur. Nuk e mohoj se më është gjetur. SIM kartela në të është me afat të skaduar, e kam edhe dëshminë nga IPKO për këtë, pasi unë përdor numër të VALA-s”, ka thënë ndër të tjera avokati Huruglica.

Tutje, sipas avokatit Huruglica, numri i tij i VALA-s, të cilin e përdor në përditshmëri dhe ai i cili është ndalur nga Shërbimi Korrektues janë të njëjtë dhe dallojnë vetëm operatorët VALA dhe IPKO.

Kurse në një shkresë zyrtare të operatorit IPKO, të siguruar nga KALLXO.com, shihet se numri i cili pretendohet se është kapur në Qendrën Korrektuese në Gjilan ka skaduar më 26.04.2021.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme është raportuar se oficerët korrektues gjatë kontrollit në portën hyrëse të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan kanë hetuar se avokati Y.H. në çantën e tij të dorës kishte një telefon mobil të tipit “Nokia” me SIM Kartelë, për të cilin dyshohet se tentonte ta fuste brenda Qendrës.

Gjithashtu është bërë e ditur se lidhur me rastin janë njoftuar Policia dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, të cilët po merren me rastin.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.