Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Flet Adrijana Hoxhiq pas vendimit të PZAP-së, paralajmëron ankesë në Supreme

Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, Adrijana Hoxhiq, e ka konsideruar skandaloz vendimin e sotëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e disa mijëra votave të iniciativës së saj “Komuniteti i Bashkuar” nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxhiq për KALLXO.com tha se kjo shkel të drejtën e qytetarëve për të drejtën e votës së lirë.

“Është vendim skandaloz dhe e shkel demokracinë themelore, i cili i shkel të drejtat e qytetarëve të Kosovës që të votojnë sipas vullnetit partinë e tyre”, tha ajo.

Ajo theksoi se do të bëjë ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së, derisa tha se ky është një vendim politik.

“Ne do të ankohemi në Gjykatën Supreme dhe është një vendim politik dhe i cili është i inskenuar dhe ka natyrë politike, sepse për herë të parë në Qeverinë e Kosovës ka mund të hyjë një opsion i cili nuk do të zbatojë servilitetin por do të punojë për interesin e komunitetit boshnjak”, tha ajo.

Hoxhiq tha se pret që Supremja të vendosë në favor të saj.

“Është shkelje skandaloze e të drejtave të njeriut dhe unë besoj që Gjykata Supreme ka ekspertizë dhe do ta bëjë vendimin në favor të demokracisë”, tha ajo më tej për KALLXO.com.

Hoxhiq edhe një herë mohoi të ketë pasur ‘marrëveshje’ me Listën Serbe për të fituar vota edhe në vendet që nuk ka boshnjakë.

“Për herë të parë është një opsion që e ka përkrahjen nga të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe përkrahën një opsion për shkak të programit pa asnjë projeksion, por për shkak të besimit tonë”, tha Hoxhiq për KALLXO.com.

Sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që t’i anulojë 4 mijë e 205 vota të inciativës së Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ, Adrijana Hoxhiq ka marrë 6 mijë e 422 vota, mirëpo me anulimin e 4 mijë e 205 votave, asaj do t’i mbesin vetëm 2 mijë e 217 vota.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se do të anulohen votat për të gjitha subjektet boshnjake në 7 komuna me shumicë serbe.

Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre.

Me përfundimin e procesit ankimor, KQZ-ja obligohet që t’i zbatojë të gjitha vendimet e dala, e tek më pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.