Flamuri i Serbisë në Koshare, reagon OVL e UÇK-së në Pejë

Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së në Pejë ka reaguar pas qarkullimit në media të një fotoje ku shihet flamuri serb në mesin e shumë flamujve kombëtarë shqiptarë të shqyer në kullën e vrojtimit në Koshare.

OVL e UÇK-së e ka cilësuar këtë si provokim për të gjithë shqiptarët.

“Për luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e të rënëve për liri, kjo është një fyerje e rëndë nga Serbia në prag 22-vjetorit të Çlirimit, me faktin se një gjë e tillë ndodh shumë afër varrezave, ku pushojnë Heronjët e Brigadës 138 Agim Ramadani”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu kanë kërkuar nga Qeveria që të marrin masa.

“Qeveria e vendit, organet e sigurisë, të marrin masa që të ndalen përgjithmonë këto dukuri të shëmtuara dhe që fajtorët të dënohen. Në të kundërtën çfarë na mbetet ne? Të heqim dorë edhe nga kjo shtetësi që e kemi, pasi që as në shtetin që e ndërtuam vet, nuk ndjehemi më të sigurt. Ju përgjegjësit e institucioneve shtetërore dhe atyre të sigurisë, nëse nuk doni ose nuk dini të mbani shtet, deklarohuni dhe lëshoni rrugë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.