Foto: BIRN

Flamuj me emrat e vendeve ku janë kryer krime lufte në Bosnje varen në rrethojat e Tribunalit të Hagës

Flamujt e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës me emrat e vendeve ku janë kryer krime lufte, janë varur në rrethojat para Tribunalit të Hagës gjatë ditës së sotme, përpara vendimit përfundimtar ndaj Ratko Mlladiq.

Flamujt janë varur nga të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrenicë, ish të arrestuar dhe gra që humbën djem, burra dhe baballarë gjatë luftës në Bosnjë.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të vendosë sot ndaj ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, për akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mlladiq është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës.

Në këtë krim, që ka ndodhur gjatë luftës në Bosnje më 1995, forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në seancën e tij të apelit në Hagë, gushtin e kaluar, Mlladiq e ka cilësuar gjykatën si një “fëmijë” të fuqive perëndimore.

Avokatët e tij kanë thënë se Mlladiq ka qenë larg Srebrenicës kur ka ndodhur masakra.

Procesi kundër Mlladiqit ka nisur më 16 maj të vitit 2012.

Aktakuza kundër tij është ngritur më 24 korrik, 1995.

Pasi ka kaluar gati 16 vjet në arrati, ai është arrestuar në Serbi më 26 maj, 2011, dhe është transferuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë më 31 maj, 2011.

Gjyqi ka nisur në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.