“Flaka e Janarit” hyn në listën e trashëgimisë shpirtërore

Në vigjilje të 30-vjetorit të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2021”, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ia ka dorëzuar vendimin kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për futjen e këtij manifestimi në trashëgiminë shpirtërore.

Dumoshi uroi që ky manifestim të zgjasë për shumë vite.

“Sot kemi ardhur me një lajm të mirë në Gjilan. Meqë është bërë për 29 vjet një traditë e manifestimit, e cila përmban katër shtylla kryesore, sot jam shumë e nderuar që po ia dorëzoj kryetarit Haziri vendimin për futjen e “Flakës së Janarit” në trashëgiminë shpirtërore”, ka thënë Dumoshi, thuhet në komunikatën e komunës së Gjilanit.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha kjo është mirënjohja më e madhe që i jepet Gjilanit, duke e renditur në listën e mirënjohjes që Parlamenti Europian i ka dhënë me epitetin “Qytet i Paqes” dhe në mirënjohjes kolektive të Presidencës së Kosovës si “Qytet i Lirisë”.

“Janari kudo është ‘muaj i vdekur’, vetëm ne bëjmë përjashtim sepse më 11 janar, në ditën e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, fillojmë me këtë manifestim dhe i përfundojmë aktivitetet më 31 janar, në nderim të të rënëve përmes vlerave kulturore’, ka thënë Haziri.

“Flaka e Janarit” është festival multikulturor, i cili fillon më 11 janar në Gjilan me ndezjen e  flakadanit.

Ky festival vazhdon me performanca, orë letrare, shfaqje dhe koncerte që prekin artin skenik, pamor, muzikor dhe letrar deri më 31 janar.

Ky festival mbahet si në shenjë respekti për atdhetarin dhe shkrimtarin Jusuf Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën.