Fjetja në orët e vona rrit mbipeshën tek fëmijët nën moshën 6 vjeçare

Një studim i ri ka bërë një lidhje mes të shkuarit në shtrat vonë me rrezikun e mbipeshës tek fëmijët, edhe pse hulumtuesit thonë se prindërit nuk duhet të nguten për t’i vënë në gjumë më herët si rezultat, raporton CNN.

Në vend të kësaj prindërit e shqetësuar duhet të fokusohen në mbajtjen e rregullt të një rutine për ushqimin dhe fjetjen, tha Dr. Claude Marcus, një profesore e pediatrisë në institutin Karolinska në Suedi dhe autore e këtij studimi, i cili u publikua të martën në revistën ‘Pediatrics’.

Hulumtimi, i cili ishte pjesë e një studimi më të gjerë për mbipeshën, u fokusua në 107 fëmijë në Suedi, me 64 prej tyre që kishin njërin prind me mbipeshë.

Hulumtuesit monitoruan peshën e secilit fëmijë, perimetrin e gjatësisë dhe belit nga mosha një deri në gjashtë; të gjithë fëmijët kishin përmasa të ngjashme kur filloi studimi. Gjumi ishte matur për shtatë ditë rresht një herë në vit për kohëzgjatjen e studimit duke përdorur një gjurmues të vënë në dorë të fëmijës.

Ata zbuluan se fëmijët që kishin shprehi të flinin më vonë-sipas hulumtuesëve pas orës nëntë-kishin një belë më të gjerë dhe ishin më të gjatë në fund të studimit.

“Fjetja e vonshme ishte një faktor që u dallua, kishte lidhje me shtimin e peshës,” tha Marcus. “Sidoçoftë, ajo çfarë ne shohim është thjeshtë një lidhje, nëse i vini fëmijët në gjumë më herët, a do ndryshonte diçka? Kjo është ajo që ne nuk e dimë.”

Marcus sugjeroi se qëndrimi pas orës nëntë mund të jetë një nga shenjat që i vë fëmijët tuaj në rrezik për mbipeshë, pra rritja e tyre në peshë mund të jetë e lidhur me kohën e tyre të gjumit.

Ai përmendi po ashtu edhe faktin se koha në të cilën fëmijët biejnë për të fjetur dallon shumë nëpër botë- me fëmijë në disa vende si Spanja dhe disa pjesë të Azisë ku kanë shprehi të rrinë shumë më vonë sesa koha e studimit.

“Hipoteza ime personale është se kjo është një shenjues i një jete të çrregulltë,” tha ai.

Në një koment lidhur me hulumtimin, Dr. Nicole Glaser dhe Dr. Dennis Styne, të dy endokrinologë pediatrik në Sakramento të Kalifornisë, thanë se ka mundësi që mbipesha dhe koha jo adekuate e gjumit mund të jenë të ndikuara nga “koha e madhe para ekranit, ushtrime joadekuate, ose mungesë diturie të përgjithshme për shprehi shëndetësore në pjesën tjetër të familjes.”

Sidoçoftë, ata shtuan se mund të ketë lidhje edhe me anën fizike. Kjo për shkak se disa pjesë të trurit të përfshira në rregullimin e cikleve të gjumit dhe zgjimit gjithashtu menaxhojnë shprehinë e ngrënies dhe të qëndruarit pa ushqim.

“ Rregullimi i gjumit dhe peshës së trupit ndërlidhen në mënyrë të ndërlikuar në shumë nivele,” shkruan Glaser dhe Styne , të cilët nuk ishin të përfshirë në hulumtim.

Një limit i madh i studimit ishte numri i vogël i fëmijëve të përfshirë. Sidoçoftë, hulumtuesit ishin në gjendje që objektivisht të masin karakteristikat e gjumit përmes matësit në dorë sesa nga informatat e prindërve dhe fëmijëve, diçka që sipas Marcus është e pasigurtë.

Hulumtime të mëhershme kanë shfaqur se koha e shkurtër e gjumit është e lidhur me rritjen e rrezikut për mbipeshë në fëmijëri. Por, studimi nga ekipi i Marcus gjeti se pa marrë parasysh sa gjatë fle një fëmijë, shkurja në shtrat pas orës 9 në mbrëmje ishte e lidhur me mbipeshën dhe gjatësinë më të madhe.

Derisa fëmijët me prindër që janë mbipeshë kishin gjasa që të jenë edhe ata të tillë, sipas studimit këta fëmijë nuk patën ndonjë ndryshim në kohën e gjumit krahasuar me moshatarët e tyre.

Tek të rriturit, Marcus tha se gjumi i çrregulltë dhe mungesa e gjumit lidhen me rrezikun për mbipeshë, me sugjerimin se njerëzit që flenë pak hanë më shumë.

“Shkaqet janë të vështira të përcaktohen, mund të jetë një efekt i stresit, jo gjumit,” tha Marcus.

“E njëjta vlen edhe për fëmijët me kushte të ndryshme socioekonomike, ne e dimë që ka lidhje me mbipeshën, por është e vështirë ta identifikosh mënyrën e tyre të jetuarit,” shtoi ai.

Studimi tha se përpjekjet për të shmangur mbipeshën duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje gjumit i cili paraqet përfshirje në cënimin familjar për zhvillimin e mbipeshës.

Përgatiti-Ardita Zeqiri