Fjalimi i plotë i Konjufcës në Këshillin e Sigurimit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka publikuar fjalimin e plotë që e ka dhënë gjatë ditës së djeshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky takim i Këshillit të Sigurimit është mbajtur online për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Në fjalimin e gjatë, Konjufca ka përmendur situatën me COVID-19, ka folur për situatën politike në Kosovë, për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca në fjalimin e tij, ka përmendur procesin e shtetësisë së Kosovës që nga periudha e luftës e deri të procesi i shpalljes së pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e deri të njohjet e shtetësisë së Kosovës.

Në fjalimin e Konjufcës janë përmendur vrasjet e civilëve në Kosovë, mbi 20 mijë rastet e dhunës seksuale e personat e zhdukur.

Konjufca poashtu ka kërkuar nga shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit që t’i bëjnë presion Serbisë për lirimin e qytetarit të Kosovës Nezir Mehmetaj i cili tash e një kohë është duke u mbajtur në paraburgim në Serbi.

Konjufca ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke dhënë qëndrimin se tërësia territoriale e Kosovës nuk duhet të diskutohet.

Lexoni fjalimin e plotë të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjuf a

Shkëlqesia juaj, i nderuari zoti President, Ambasadori Francisco A. Cortorreal,

Shkëlqesitë e juaja, Përfaqësues të Përhershëm të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të KB

I nderuari Z. Zahir Tanin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm,

Është nder dhe privilegj i madh për mua të flas me ju në Këshillin e Sigurimit, në këtë forum të nderuar të KB si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Shfrytëzoj rastin të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në pandeminë Covid-19 kudo në botë, dhe veçanërisht në vendet tuaja të respektuara.

Para se të shfaqeshin rastet e para të pandemisë Covid-19 në Kosovë, më 11 mars 2020, Qeveria jonë ndërmori masa të menjëhershme parandaluese, duke mbyllur shkollat dhe duke ndaluar fluturimet. Si rezultat i një operacioni të shpejtë, profesional dhe efikas, numri i personave të infektuar me Coronavirus është relativisht i ulët, dhe numri i vdekjeve nga ky virus në Kosovë është më i ulët se në vendet e tjera të rajonit.

Zonja dhe zotërinj,

Më 6 Tetor 2019, në Republikën e Kosovës u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet treguan një shkallë të lartë të vetëdijes demokratike nga qytetarët e Kosovës. Zgjedhjet u vlerësuan pozitivisht nga monitoruesit ndërkombëtarë. Opozita fitoi zgjedhjet. Lëvizja politike që unë përfaqësoj, Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet, duke fituar shumicën relative në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Prandaj, kryeministri Albin Kurti mori mandatin e qytetarëve për të qeverisur vendin. Pjesëmarrja në zgjedhje në komunat që kanë shumicë etnike serbe ishte më e lartë sesa në ato me shumicë etnike shqiptare. Përfaqësuesit e pakicës serbe në Kosovë fituan vetëm gjashtë vende me vota, por gjithashtu morën edhe katër vende të tjera të garantuara me Kushtetutën tonë. E njëjta gjë ka ndodhur me pakicat e tjera etnike. Megjithëse procesi i numërimit dhe rinumërimit zgjati ca kohë, bartja e pushtetit u bë si duhet. Në këtë kontekst, zgjedhjet e 6 tetorit 2019, paraqesin një hap të përparimit demokratik në Kosovë.

Shkëlqesitë e juaja,

Rezoluta 1244 u miratua në një kontekst tjetër kohor në vitin 1999. Qëllimi i saj ishte zgjidhja e katastrofës humanitare, ndalimi i luftimeve dhe kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe ndalimi i spastrimit etnik në Kosovë pas implementimit të një projekti të tmerrshëm hegjemonist nga Serbia. Tani situata ka ndryshuar rrënjësisht. Siç mund ta shihni në Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, në gjashtë muajt e fundit nuk ka pasur konflikte ndëretnike në Kosovë. Prandaj, ka ardhur koha që UNMIK të përfundojë misionin e vet.

Në muajin tim të parë si Ministër i Jashtëm, unë mora pjesë në një numër takimesh rajonale me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesit e Serbisë ishin gjithashtu të pranishëm në të gjitha këto takime. Përshtypja që kam fituar gjatë këtyre takimeve është se Serbia nuk është ende në gjendje të pranojë një fakt të thjeshtë: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010, vulosi trashëgiminë dhe legjitimitetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës e cila është e pakthyeshme.

Le të kujtojmë të gjithë për një moment atë që është thënë në mënyrë të qartë nga gjykata: Gjykata pastaj i përgjigjet kërkesës si më poshtë: “Gjykata është e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës e miratuar më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar”. Sa më shpejt që Serbia ta kuptojë këtë, aq më shumë përfitime do të ketë për Serbinë, për ne dhe rajonin tonë.

Unë e di se disa nga shtetet e përfaqësuara sot në Këshillin e Sigurimit të KB nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran. Megjithatë, shumica absolute e vendeve të KB e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ju ftoj ta bëni një gjë të tillë. Përmes këtij akti, ju jo vetëm që do të respektonit vullnetin legjitim të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës, por do të respektonit edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të mbështetnit paqën dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.

Nuk ka qenë Kosova ajo që e ka ngritur çështjen e pavarësisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në të vërtetë Serbia e ka bërë këtë. Ajo e ka dorëzuar dhe e ka ngritur këtë çështje. Serbia e ka pyetur këtë Gjykatë të respektuar dhe të ndershme se mos pavarësia e Kosovës ka rënë ndesh me ligjin ndërkombëtar. Çështjen e ka ngritur ajo dhe është hipokrizi të pyetet Gjykata dhe të mos respektohet përgjigjja e saj.

Zonja dhe zotërinj,

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm citon Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) duke thënë se janë 1.646 persona të zhdukur që nga lufta në Kosovë në vitin 1999. Personaliteti më i njohur është profesori i Universitetit të Prishtinës Z. Ukshin Hoti. Profesori Hoti është parë për herë të fundit në 16 maj 1999, në Burgun e Dubravës. Ai u arrestua nga regjimi serb për arsye politike. Atë ditë ai duhej të lirohej pasi kaloi pesë vjet burg, si i burgosur politik. Rojet e nxorën nga dera e qelisë dhe ai nuk u pa më kurrë. Ku është Ukshin Hoti? Ai ishte në duart e institucioneve të shtetit serb. Si profesor Hoti, ka edhe 1.646 të tjerë të zhdukur. Shteti dhe shoqëria e Kosovës duhet ta dinë se ku është Ukshin Hoti! Ku janë 1.646 të pagjeturit të Kosovës?

Një tragjedi tjetër që përshkon jetën e 20,000 grave (dhe burrave) shqiptarë që nga lufta në 1999 është dhunimi seksual. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe nuk është befasi që shumë nga këto gra dhe burra nuk duan të regjistrohen dhe as të identifikohen, për shkak të frikës së ri-përjetimit të tmerrit. Pavarësisht kësaj, ka gra të guximshme që kanë vendosur të përballen me frikën dhe të flasin. Kemi zonjën Marte Tunaj e cila ishte gruaja e parë që në vitin 2013 dëshmoi hapur për përdhunimin që kishte përjetuar, dhe që vdiq në maj 2016 me një pension prej 96 eurosh. Kemi zonjën Vasfije Krasniqi – Goodman e cila ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunaj duke folur vazhdimisht për këtë çështje që i dhemb një kombi të tërë, dhe së fundmi kemi zonjën Shyhrete Tahiri-Sylejmani e cila ka treguar edhe forcë të pashembullt kur ka vendosur të flasë për përvojën e saj. Sot falënderoj guximin e këtyre grave që frymëzojnë dhe inkurajojnë gra dhe burra të tjerë të kërkojnë drejtësi.

Shumica e autorëve ishin ushtarë dhe policë serbë. Përdhunimi seksual është një krim lufte. Ne i kërkojmë Serbisë të identifikojë ushtarët dhe policët e saj që kanë dhunuar gra dhe burra shqiptarë. Drejtësia duhet të vihet në vend.

Një nga veprimet e fundit të padrejta të Qeverisë së Beogradit është arrestimi i shtetasit tonë Z. Nezir Mehmetaj. Ai u arrestua nga autoritetet serbe në kufirin midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës më 3 janar 2020. Familja e Z. Mehmetaj ka deklaruar se ai dhe familja e tij e ngushtë kanë jetuar në Zvicër për rreth 30 vjet. Ndërsa z. Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë ndalimit, shëndeti i tij është përkeqësuar ndjeshëm. Ju bëj thirrje juve, përfaqësues të nderuar të përhershëm të vendeve anëtare të KB, që të përdorni autoritetin tuaj për të ndërhyrë, me thirrjen për lirimin e z. Mehmetaj nga burgu serb.

Zonja dhe zotërinj,

Marrëdhëniet e vendit tonë me Serbinë kanë mbetur të vështira. Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur që marrëdhëniet tona me Serbinë mund të përmirësohen vetëm përmes një dialogu të barabartë, të sinqertë dhe konstruktiv. Për të krijuar një mjedis të tillë, më 1 Prill 2020, Qeveria jonë ka vendosur të heq taksën 100% të mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, e cila u vendos nga Qeveria e mëparshme. Në të njëjtën kohë, ne kemi ndërmarrë disa masa graduale të reciprocitetit për të parandaluar shumë barriera jo- tarifore që Serbia ka vendosur për mallrat tona. Është besimi ynë kryesor që për të pasur marrëdhënie normale dhe për t’i kontribuar stabilitetit në rajon, Serbia duhet të heq barrierat e saj tregtare jo-tarifore, të ndalojë fushatën e saj të ç’njohjeve ndaj Kosovës dhe të ndalojë financimin e strukturave paralele të saj në vendin tonë.

Vetë zoti Daçiq ka zhvilluar një fushatë kundër Kosovës, kur ka shkuar te shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe i ka mashtruar lidhur me karakterin dhe me statusin e dialogut. Dialogu ynë me Serbinë nuk është dialog për statusin dhe shtetësinë e Kosovës. Ai duhet vetëm ta qartësojë këtë. Nga autoritetet evropiane, gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, quhet si dialog për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, mirëpo zoti Daçiq po shkon te disa shtete që janë anëtare të OKB-së për t’i mashturar. Ne kemi kërkuar nga zoti Daçiq dhe nga Serbia që menjëherë ta ndërpresin këtë fushatë.

Ditëve të fundit, Z. Kurti i ka dërguar një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Donald Trump në lidhje me dialogun me Serbinë. Më 23 Mars, Kryeministri Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, dhe më 9 prill ai pati edhe një bisedë telefonike me Presidentin Francez Emmanuel Macron. Në të gjitha këto komunikime, Kryeministri Kurti e bëri të qartë qëndrimin e Kosovës duke synuar një dialog të barabartë, i cili nuk dëmton integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë, dhe synon të përmirësojë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, e cila, idealisht, duhet të rezultojë në njohje reciproke.

Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, e ardhmja e Kosovës shtrihet në familjen e demokracive evropiane. Prandaj, ne jemi të përkushtuar që të ndjekim qëllimin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur dhe të zbatojmë reformat e kërkuara. Në mënyrë të ngjashme, ne jemi plotësisht të përkushtuar për t’u anëtarësuar në NATO dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për të arritur këtë qëllim.

Në fushën e sigurisë, Kosova ka deklaruar përkushtimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Pavarësia e Kosovës është një faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne jemi pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit. Republika e Kosovës mezi pret të punojë me të gjithë anëtarët e KB për të promovuar qëllimin tonë të përbashkët për paqen dhe sigurinë botërore.

Ju faleminderit!