Ilustrim Stacioni i trenit, Foto: Pixabay

Fjalimet e Hitlerit u janë lëshuar pasagjerëve në një tren në Austri, arrestohen dy persona

Pasagjerëve në një tren në Austri u janë lëshuar pjesë të fjalimit të Adolf Hitlerit në vend të njoftimeve të zakonshme të hekurudhave, ku si pasojë janë arrestuar dy persona, raporton Der Standard.

Frazat nacional-socialiste si “Heil Hitler” dhe “Sieg Heil” tronditën pasagjerët, konfirmoi të hënën një zëdhënës i operatorit të trenave OeBB, për Der Standard.

Ai tha se nga hetimi është konstatuar se dy të dyshuarit kanë arritur të zhbllokojnë një pjesë të makinës me altoparlant, ku më pas kanë lëshuar fjalimet e Hitlerit nga celulari.

“Gjithçka u luajt me zë të lartë. Ishte shumë e bezdisshme dhe shqetësuese”, tha zëdhënësi, transmeton Telegrafi.

Ndaj dy të dyshuarve, të cilët u identifikuan qartë nga kamerat kur zbritën nga treni në Vjenë, ka nisur hetimi. Nuk dihet se si e kanë marrë çelësin, por përjashtohet që të jenë punonjës të OeBB.

“Është një çelës standard që përdoret në të gjithë Evropën dhe ndoshta ka dhjetëra mijëra të tillë”, tha zëdhënësi.

Ky është incidenti i tretë me një sistem adresash publike në St. Pölten – Vjenë në vetëm pak ditë, por në të kaluarën luheshin këngë për fëmijë./Telegrafi