Paul Haggis

Fituesi i çmimit Oscar do të ligjërojë në festivalin virtual të filmit studentor të UP-së

Festivali Ndërkombëtar Studentor i Filmit – CineUP do të jetë nikoqir i njërit nga fituesit e njëpasnjëshëm të çmimit Oscar, Paul Haggis.

Hagiss do të ligjërojë sot studentëve dhe të gjithë dashamirësve të filmit me fillim nga ora 17:00.

Haggis është skenarist, producent dhe  i filmit me renome ndërkombëtare “Million Dollar Baby” dhe regjisor i filmit “Crash”. Skenaristi gjithashtu ka  bashkëshkruar  skenarin e filmit “Flags of Our Fathers” dhe filmat e James Bond, Casino Royale dhe Quantum of Solace.

Masterklasën e parë e ka mbajtur dje profesori Enver Petrovci, e cila zgjoi interesimin e shumë studentëve.

Festivali virtual, i cili u hap zyrtarisht më 5 maj, do të transmetojë 31 filma të studentëve të departamentit të Regjisë, Fimit dhe Televizionit

“Ky festival iu përket të gjithë studentëve të Regjisë së Filmit dhe Televizionit dhe i gjithë festivali është i pasuruar me filmat e studentëve të katër viteve të studimit. Por, ky festival do të përmbajë edhe filmat e të diplomuarve, të cilët e kanë realizuar punën e tyre gjatë studimeve”, tha Loreta Berbatovci, koordinatore e festivalit dhe  studente e kësaj katedre.

Ndër të tjera, Loreta tha se ky festival është mundësi e mirë që puna e studentëve të promovohet dhe të shihet nga një audiencë e gjerë.

“CINEUP” ka nisur rrugëtimin me edicionin e parë të tij, i cili po mbahet virtualisht për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID -19. Mirëpo, festivali i vetëm aktual në Kosovë i filmave të studentëve synon që të shndërrohet në festival tradicional dhe të hapet edhe për studentët e vendeve tjera.