Fitorja e Zvicrës ndaj Serbisë, shpërthen festa në Prishtinë

Fitorja e shënuar nga kombëtarja e Zvicrës ndaj Serbisë ka bërë që në kryeqytetin e Kosovës të shpërthejë festa.

Qytetarë të shumtë të Prishtinës kanë dalë rrugëve për të festuar fitoren e kombëtares zvicerane, në ndeshjen që u zhvillua në Katar në kuadër të kampionatit botëror.

Kombëtarja e Zvicrës ka eliminuar atë të Serbisë nga kampionati botëror “Katar 2022”.

Ndeshja mes zviceranëve dhe serbëve përfundoi me rezultat 3-2.

Ishte sulmuesi kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili shënoi golin e parë në minutën e ’20, me asistim të Djibril Sow.

Vetëm pak minuta më pas, serbët tundën rrjetën e zviceranëve dy herë, duke dalë në epërsi përkohësisht.

Pak minuta para mbylljes së pjesës së parë, Zvicra barazoi rezultatin 2-2. Breel Embolo shënoi golin e barazimit me asistim të Silvan Widmer.

Në fillim të pjesës së dytë, Zvicra kaloi në avantazh prej 3-2.

Goli i avantazhit u shënua në minutën e ’48 nga Remo Freuler asistim të Ruben Vargas.

Me këtë humbje Serbia është eliminuar nga botërori “Katar 2022”, kurse Zvicra vazhdon garën për kampion të botës.