Fitorja e Bidenit, pritet bashkëpunim më i madh mes ShBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, zyrat e Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë dhe në Serbi, kanë organizuar diskutim të përbashkët mbi ndikimin që mund të kenë këto zgjedhje në dialogun mes këtyre dy vendeve.

Diskutimi është moderuar nga gazetarja dhe drejtoresha e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, Jeta Xharra.

Rene Schlee nga drejtor i Zyrës së FES-it në Kosovë, tha se është i lumtur që ky diskutim po mbahet një jave pas zgjedhjeve në SHBA, duke shtuar se nga ajo çfarë është parë do të ketë ndryshime rreth asaj se kush do të mund të nominohet për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Max Brandle, drejtor i Zyrës  së FES-it në Serbi tha se për të ka qenë lehtësues fakti se Joe Biden do të jetë president i ardhshëm i SHBA-së.

“Joe Biden është demokrat. Ne mund ta marrim atë në kuptimin e drejtpërdrejtë, se ai është për demokracinë në SHBA. Ai ka mundësi të gjejë një qasje të përbashkët për sfidat tona të përbashkëta midis nesh në Evropë dhe partnerëve tanë në SHBA”, tha Brandle.

Në anën tjetër, Milan Antonijeviq, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Serbi, foli rreth marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë nën adminitratën e presidentit Trump dhe rolin e Brukselit në procesin e negociatave.

“Ne donim të shihnim një bashkëpunim më të mirë midis të dërguarit të BE-së Miroslav Lajçak dhe SHBA-së sidoqoftë, pa marrë parasysh se si Brukseli po përpiqej të ishte në përputhje me politikën e SHBA-së, unë besoj se përgjigjja nga Uashingtoni në atë kohë dhe administrata nuk ishte aq bashkëpunuese”, tha ai.

Sipas tij, kjo është diçka që tani presin të ndryshojë me administratën e Bidenit.

“Ne presim që të jetë një shans i mirë për të rivendosur me të vërtetë marrëdhëniet transatlantike”, theksoi ai.

Kurse, Veton Surroi, ish-politikan dhe publicist në Kosovë, në këtë diskutim tha se presidenti Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë si përçarës.

“Si ai ashtu edhe [Richard] Grenell kanë përsëritur shumë herë se duan të prishin politikën e jashtme dhe të gjitha politikat e tjera që kanë funksionuar në SHBA”, theksoi ai.

Surroi shtoi se Bashkimi Evropian nuk ka qenë shumë i mirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari ne kemi procesin e Brukselit në marrëveshjen e Brukselit në 2013 dhe për shumë vite kanë qenë duke u marrë kryesisht me çështje të parëndësishme, kështu ka kaluar gjithë dekada”, theksoi publicisti kosovar.

Surroi mes tjerash duke folur për presidentin e ardhshëm Joe Biden, tha se ai ka shumë njohur për Kosovën dhe rajonin.

Ndërkaq, gazetarja dhe drejtoresha e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, Jeta Xharra, tha se nga ky diskutim ka arritur të nxjerr konkludimet se fitorja e Bidenit pritet të sjellë më të mirën në procesin e dialogut.

“Ajo që nxora nga disktutimi është se në thelb fryma në të cilën fitorja e Bidenit pritet të sjellë më të mirën tek ne dhe nga ne, nuk dua të them vetëm shpresën që kemi për Biden që të ndryshojë qasjen në të gjithë botën dhe folur më shumë për lirinë e paqes dhe të shkencës, gjithashtu presim  një udhëheqje të re nga Merkel dhe Macron në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Xharra.