Fitore Pacolli, VV.

Fitore Pacolli kërkon përgjegjësi për vonesën e Kushtetueses në vendimin për qeverinë Hoti

Ish- deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Fitore Pacolli ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit në Kosovë, rreth asaj se kush ka dhe nuk ka të drejtë të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pacolli përmes një postimi në Facebook ka shkruar se janë dy çështje të tjera që  duhet të jenë temë diskutimi në vend, ajo se pse “ Gjykata Kushtetuese nuk e trajtoi me urgjencë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi” dhe cili është dëmi i shkaktuar.

Ajo ka renditur disa nga dëmet që sipas saj  i janë shkaktuar Kosovës nga Qeveria e Avdullah Hotit.

Postimi i plotë i Fitore Pacollit:

 

 Këto ditë çështje diskutimi do të duhej të ishte jo se kush ka dhe nuk ka të drejtë kandidimi por

  1. Pse Gjykata Kushtetuese nuk e trajtoi me urgjencë kërkesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE, për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, që e kishte dorëzuar në qershor 2020 por lejoi që vendi të udhëhiqet nga një qeveri jolegjitime për më shumë se 6 muaj?
  2. Çfarë dëmi i ka shkaktuar qeveria jolegjitime shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe si mund të riparohen dëmet e bëra dhe kush do të jap përgjegjësi për:

– dëmin  politik dhe ekonomik që iu bë Kosovës me heqjen e reciprocitetit me Serbinë;

– dëmin në subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës që shkaktuan përmes moratoriumit njëvjeçar për pezullimin e aktiviteteve për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare;

– përgjegjësinë që mbanë qeveria Hoti për vjedhjen e 2 milionë euro dhe arkës 300 kilogramëshe;

– për keqmenaxhimin e situatës pandemike dhe kush do të mbahet përgjegjës për humbjen shumë jetëve dhe rrezikimin e shëndetit publik;

– për shfuqizimin e tasks forcës Anti-Korrupsion;

– për ndërprerjen e konceptimit të procesit të vettingut;

– zotimin e kryeministrit jolegjitim për ndarjen e Ujmanit;

…e shumë vendime tjera…

Tani është shumë e qartë. Qëllimi nuk është informimi por mjegullimi i situatës.

Por, popullin nuk ka më barrierë që e ndal e as pykë që e çan!

#QeveriaKurti2