Fitore Pacolli | Foto: Facebook

Fitore Pacolli i reagon Isa Mustafës: Turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit për vete dhe familjen

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli,  ka reaguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Ky i fundit e kritikoi Pacollin për një deklaratë të saj, duke thënë se ‘është turp të përgojosh nënën e dëshmorëve’.

Pacolli ka shkruar se është turp kur nën qeverisjen e Mustafës e të LDK-së është lejuar degradimi i sistemit shëndetësor.

Ajo ka shkruar se shteti është i rrënuar dhe për rrënimin, sipas saj, Isa Mustafa e bart një pjesë të përgjegjësisë.

Ky është reagimi i plotë i deputetes Pacolli:

Z. Mustafa, nuk është turp të thuash të vërtetën. Turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit vetëm për veten dhe familjen e afërt.

Turp është kur nën qeverisjen tënde e të partisë tuaj keni lejuar e kontribuar në degradimin e sistemit shëndetësor. Pa rrugëdalje shumë prindër mbushnin sheshet me megaphonë e rrjetet sociale me lutje për të kërkuar ndihmë për shërimin e fëmijëve të tyre. Fëmijë të këtij vendi, jeta e të cilëve varej vetëm nga vullneti i zemrëmirëve. Shteti i rrënuar, për rrënimin e të cilit bartni edhe ju një pjesë të përgjegjësisë, nuk mund t’i ndihmonte.

Nëpër spitale njoftimet në hyrje se u mungojnë medikamentet bazë sikur përshëndetnin pacientët. Kjo ishte një mënyrë që mjekët tu kërkonin pacientëve të varfëruar deri në palcë se duhej ti blenin ato nëse e duan shërbimin. Ata nuk kishin vend tjetër përvec shtetit të tyre që i kishte braktisur. Por, Ju kishit mundësi të tjera. Mund të mjekoheshit edhe jashtë shtetit.

Nuk po di se kujt po i mungon edukata familjare dhe e traditës kombëtare, mua apo juve?

Mua që flas për mungesën e një sistemi publik shëndetësor që ofron përkujdesje cilësore për të gjithë apo juve që po arsyetoheni se nuk keni pasur nevojë të pyesni askënd për mjekimin tënd jashtë shtetit të cilin ju e keni udhëhequr për një kohë?

Mua që po kërkoj përgjegjësi tek ata, përfshirë edhe juve, që na mohuan të drejtën të kemi sistem publik të zhvilluar shëndetësor apo juve që kërkesën time për përgjegjësi po e quani logjikë fashiste?

Për ju qenka logjikë fashiste. Për mua është detyrë e përgjegjësi e secilit që zë pozitat udhëheqëse të punoj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Ai/ajo që vendos për shërbimet publike që i ofrohen qytetarëve nuk ka logjikë që vet t’i braktisë e të marrë shërbime tjera më të mira për veten dhe familjen e tij/saj.