Fitore Pacolli arsyeton votën pro të anëtarëve të LVV në KQZ

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli në debatin “Kallxo Pernime” ka arsyetuar vendimin e dy anëtarëve të LVV-së në KQZ, të cilët votuan pro propozimit që KQZ t’i verifikojë të gjithë aplikuesit nga diaspora përmes një telefonate.

Në rast se ata nuk përgjigjen në telefon, aplikimi i tyre do të jetë i pavlefshëm sipas vendimit të KQZ-së.

“Ajo çfarë ka ndodhur gjatë punimeve të asaj mbledhjeje në KQZ ka qenë një tentativë që ta komplikojnë më tutje situatën. Vendimi paraprak ka qenë shumë më i komplikuar sesa ky. Dy përfaqësuesit e LVV duke dashur që të nxjerrin një vendim që nuk e vështirëson votimin me postë, kanë votuar këtë”, tha Pacolli në “Kallxo Pernime”.

Ajo ka konfirmuar se LVV do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ju e dini qëndrimin e LVV, që kemi thënë se ky vendim duhet të rishikohet dhe tani po bëhen përgatitjet që ta dorëzojmë ankesën në PZAP”, shtoi ai.

Pacolli thotë se para këtij vendimi është diskutuar një propozim tjetër që ka qenë shumë herë më i komplikuar.

“Ka qenë një diskutim aty brenda në KQZ, që ka qenë një vendim shumë më i komplikuar sesa ky. Një nga ato vendime ka qenë që familjarët që i takojnë të së njëjtës familje t’u kërkohet që të votohet me zarfa të ndryshëm. Kjo kish me kompliku edhe më tutje”, tha ajo.

“Diaspora zakonisht kanë votuar që familjet që kanë një mbiemër që t’i dërgojnë fletvotimet në një zarf. Pra, në një zarf (pako) kanë hyrë zarfet e fletvotimeve”, tha ajo.

Të ftuar në debatin e sotëm janë: Faton Peci nga Presidenca, Fitore Pacolli nga LVV, Faton Bislimi nga LDK, Ariana Shoshi Musliu nga PDK dhe Liza Gashi, ish zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.