Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fitim Uka: 93.2% e nxënësve prej 0-5 vjeç nuk e frekuentojnë edukimin e hershëm

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka deklaruar se rezultatet e fundit të Testit PISA për Kosovën janë reflektim i gjendjes që e kemi në arsim.

“Janë pasqyrimi më i mirë i mundshëm i situatës që e kemi me arsimin në Kosovë dhe fatkeqësisht edhe përkundër shuplakave që na ka dhënë PISA dy herë radhazi, edhe në vitin 2015 edhe në 2018, nuk ka ndodhë shkundje e situatës politike dhe ne vazhdojmë ta kemi të njëjtën situatë”, tha Uka në debatin “Kallxo Pernime”.

Sipas tij edhe rezultatet e Bankës Botërore në hulumtimin e vitit 2020 për arsimin në Kosovë kanë treguar qartë nivelin e arsimimit në Kosovë.

“Për më tepër një nxënës i klasës së 8-të në Kosovë sa i përket njohurive, shkathtësive dhe kompetencave është i barabartë me një nxënës të klasës së 3-të në një vend tjetër dhe nuk është rezultat i keqqeverisjes aktuale por të vazhdueshme ndër vite”, shtoi ai.

Ai shtoi se edhe edukimi parashkollor është shumë i rëndësishëm.

“Fëmijët tanë e nisin shkollën shumë vonë, kontakti i tyre i parë social është shumë i vonshëm vetëm kur atëherë i mbushin 5 apo 6 vjet. Mos të harrojmë i kemi 93.2% të nxënësve prej 0-5 vjeç të cilët nuk frekuentojnë fare edukimin e hershëm dhe hera e parë që socializohen momenti kur i mbushin 5 vite dhe për t’i ndryshuar rezultatet e testit PISA duhet të fillojmë në edukimin e hershëm”, tha Uka më tej.

Në rezultatet e Testit PISA 2018, Kosova përsëri u rendit e treta nga fundi për cilësi të arsimit, njësoj sikurse në vitin 2015.

Ndërsa, në raportin e fundit të Bankës Botërore është theksuar se nxënësit kosovarë të cilët shkollohen humbasin 5.3 vite shkollim derisa arrijnë moshën 18 vjeçare.

Sipas raportit, nga 13.2 vite shkollim, 7.9 vite janë efektive ndërsa pjesa tjetër e shkollimit humbet, duke e llogaritur këtë me kohën kur nxënësit kosovarë nisin shkollimin që nga mosha 4 vjeçare.