Aleksandar Arsenijeviq duke u rezistuar policëve që e shoqëruan në stacion policor, më 02.10.2024.

Fishkëlluan në drejtim të Atiqit, shoqërohen në polici Arsenijeviq dhe një tjetër person

Politikani serb nga partia Demokracia serbe, Aleksandar Arsenijeviq dhe një qytetar tjetër janë shoqëruar në Polici në Mitrovicë të Veriut, pasi që fishkëllyen në drejtim të kryetarit të Komunës, Erden Atiq.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani konfirmoi për KALLXO.com, se Arsenijeviq dhe një qytetar tjetër janë shoqëruar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Arsenijeviq dhe qytetari tjetër filluan të fishkëllejnë pasi që Erden Atiq po ecte drejt sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut.

Kryetari Atiq kishte dalë për të vizituar aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ku është vendosur një mamograf mobil.

Arsenijeviq ishte arrestuar edhe më 10.09.2024 për të njëjtën arsye, pasi që kishte fishkëlluar gjatë një vizite në veri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.