Firmino, do të mungojë disa ndeshje të Liverpool

Roberto Firmino do të jetë mungesa e madhe për Liverpoolin sa i takon javëve në vazhdim. Sulmuesi i të kuqve u dëmtua në ndeshjen e mesjavës ndaj Atletiko Madrid në Champions League, teksa analizat mjekësore kanë konfirmuar një tërheqje muskulore e cila në fakt është tepër serioze.

Kështu, vetë trajneri Jurgen Klopp, ka theksuar se braziliani ka qenë i pafat dhe do të duhet të qëndrojë jashtë për një kohë të konsiderueshme.

“Sa i përket Firminos nuk kam lajme të mira. Ka pësuar një tërheqje e cila ka rezultuar të jetë shumë serioze dhe ai ka qenë i pafat. Ne nuk e dimë me saktësi se sa kohë do të qëndrojë jashtë, por nuk do të rikthehet shpejt edhe pse në mes është pauza e kombëtareve”, u shpreh Klopp.

Këtë sezon, sulmuesi 30-vjeçar ka pasur një ritëm pozitiv duke qenë se ka shënuar 6 gola në 11 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa tashmë i duhet të qëndrojë në jashtë lojës për disa javë.