Firma amerikane Dell mbyll veprimtaritë në Rusi

Firma amerikane “Dell Technologies” thotë se u ka dhënë fund të gjitha operacioneve në Rusi, pasi mbylli zyrat e saj në fillim të këtij muaji. Dell është kompania më e fundit perëndimore që u largua nga Rusia përballë agresionit rus në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Kompania kompjuterike amerikane Dell është një furnizues kryesor i serverave në Rusi. Në muajin shkurt firma pezulloi shitjet në Ukrainë dhe Rusi, ndërsa ndoqi nga afër situatën për të përcaktuar veprimet e saj të ardhshme.

“Që në shkurt morëm vendimin për të mos shitur, ofruar servis ose mbështetje të produkteve në Rusi, Bjellorusi dhe rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, përveç embargos që kemi ndaj Krimesë”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters zëdhënësi i firmës Dell, Mike Siemienas.

Agjencia shtetërore ruse TASS citoi Zëvendës Ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Vasily Shpak, të ketë thënë se, “Ne po vëzhgojmë zhvillimin e situatës”.

“Sipas të dhënave tona, shumica dërrmuese e specialistëve të qendrës kërkimore të firmës Dell dhe inxhinierëve të tjerë në Shën Petersburg dhe Moskë, kanë marrë tashmë oferta pune me paga konkurruese nga firmat ruse”, shtoi ai.

Qindra kompani, kryesisht perëndimore, kanë thënë se po u japin fund ose pezullojnë operacionet e tyre në Rusi pasi Perëndimi njoftoi një seri sanksionesh gjymtuese ndaj Moskës lidhur me luftën e saj të paprovokuar në Ukrainë./VOA